Secondary Adv

Serbia nis fushaten per terheqjen e njohjeve te Kosoves

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë do të vazhdojnë të punojnë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, tha ministri i Drejtësisë Nikola Selakoviç.

 

Ai iu drejtua publikut pas një seance të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të kryesuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e thirrur pasi që Kosova më 12 maj aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

 

“Si ministër i Punëve të Jashtme, sot ia dorëzova presidentit Vuçiç notat diplomatike të 4 vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare e autorizoi Vuçiqin që ta informojë opinionin e gjerë se për cilat shtete bëhet fjalë, sapo ta gjykojë që është e nevojshme”, tha Selakoviq.

 

Selakoviq nuk bëri të ditur se për cilat shtete bëhet fjalë. “Me këtë veprim, duam t’u japim një shans shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KE) që të mos iniciojnë procedurën e pranimit të të ashtuquajturës Kosovë në KE në qershor”, tha ai.

 

Takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Serbisë është mbajtur të premten në Beograd – një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

 

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tubon përfaqësuesit më të lartë të sektorit të mbrojtjes dhe të sigurisë në Serbi dhe kryesohet nga kreu i shtetit.

 

Autoritetet e Kosovës konfirmuan të enjten se kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në këtë organizatë, e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

 

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim se Prishtina zyrtare po hap një kapitull të ri.

 

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

 

“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medias çdo herë e më shumë po shënon përmirësim.

 

Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit, prioritet”, ka deklaruar Kurti.

 

Ministri i Drejtësisë i Serbisë, tha se shërbimet serbe të sigurisë kanë marrë informacione se “të paktën dy vende të mëdha aktualisht po punojnë për t’i ofruar mbështetje serioze logjistike Prishtinës në fushatën e tyre për njohje të reja, por edhe në parandalimin e fushatës së tërheqjes së njohjeve”.

 

Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

 

Përveç që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, Kosova nuk është as anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera.

 

Serbia, gjatë gjithë kohës, ka bërë fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve së pavarësisë së Kosovës dhe për bllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Aleate kryesore e Serbisë në këto përpjekje është Rusia.

 

Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës më 16 mars të këtij viti, për shkak të agresionit që ka filluar në Ukrainë, më 24 shkurt./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat