Secondary Adv

Rritja e cmimit te karburanteve ne Kosove, Qeveria paralajmeron vendim te ri

Çmimi i naftës dhe benzinës ka pasur një rritje të lartë, duke shkuar afro 2 euro.

 

Këto çmime kanë ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

 

Kurse, ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se është duke punuar për vendimin e ri.

 

Pasi çmimet e derivateve në Kosovë arritën në nivel rekord, ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

 

Nga kjo Ministri kanë thënë se janë duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës “që do të mbrojnë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.

 

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.

 

Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

 

Sipas MINT’, vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Thonë se drafti tashmë është gati dhe se po punohet që të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri.

 

“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”.

 

Ndryshe, ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme bashkë me institucionet e pavarura që merren me konkurrencën për të vërtetuar shkaqet e rritjes së çmimeve të derivateve.

 

Mustafa i ka thënë se duhet vërtetuar se a po rriten çmimet shkaku i çmimeve të berzës, derisa ka paralajmëruar edhe për mundësinë e marrëveshjeve monopoliste mes naftëtarëve.

 

Përveç kësaj, Mustafa ka deklaruar se Qeveria duhet ta ulë apo ta heq përkohësisht akcizën në import të derivateve, derisa të ketë stabilizim të tregut dhe çmimeve.

 

“Qeveria do duhej të merr masa të menjëhershme së bashku me institucionet e pavarura që merren me konkurrencën për të vërtetuar shkaqet e rritjes së çmimeve të derivateve; sa janë ato pasojë e çmimeve të berzës, dhe sa pasojë e marrëveshjeve monopoliste të naftarëve tanë.

 

Krahas kësaj duhet ta rishqyrtojë akcizën në import të derivateve, ta ulë apo ta heq përkohësisht, derisa të stabilizohet tregu dhe çmimet. Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kërkuar sot heqjen e akcizës së naftës dhe tatimin mbi produktet bazike për pesë muaj.

 

Sipas tij, kjo duhet të bëhet për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë.

 

“Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, propozojmë heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike”, propozoi Lekaj.

 

Propozimin për reduktim të akcizës dhe zvogëlim të TVSH-së ishte dhënë fillimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

 

Më 7 mars, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku kishte propozuar që të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH’ja për tre muajt e ardhshëm.

 

“Të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajtë e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë”, kishte shkruar Abdixhiku.

 

Ai kishte propozuar edhe racionim të sasisë të naftës që një individ do të mund të blente. “Qeveria të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjate. Në kohë si këto, relacionet ndërshtetërore janë esenciale.

 

Vetëm sot, çmimet e derivateve në Kosovë kanë arritur në 1.84 euro për litër të benzinës kurse 1.82 për atë të naftës. Ngritja e çmimeve është krahasuar edhe me Gjermaninë.

 

Në Gjermani, çmimet e derivateve dallojnë fare pak nga ato të Kosovë. Në Hamburg, në një pikë karburanti, çmimet janë 1.93 euro për litër të naftës kurse 1.90 deri 1.96 euro për atë të benzinës.

 

Në anën tjetër, sipas destatis.de (Institucionit Federal të Statistikave në Gjermani), që nga 1 janari i këtij viti, një orë punë me pagesën më të ulët, paguhet 9.82 euro. Kjo do të thotë se paga minimale në Gjermani është 1 mijë e 621 euro, me orar të plotë.

 

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani dje ka deklaruar se këto çmime janë të larta për gjendjen ekonomike të qytetarëve.

 

Rritja e çmimit të naftës nisi që nga pushtimi rus i Ukrainës, pas të cilit zhvillim Perëndimi ndërmori sanksione ndaj Rusisë, një prej furnizuesve më të mëdhenj të Evropës me naftë.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/cmimet-e-karburanteve-rekord-ne-kosove-qeveria-paralajmeron-vendim-te-ri/)


Më të lexuarat