Secondary Adv

Pakti per energjine elektrike, Kosova dhe Serbia drejt marreveshjes

Serbia dhe Kosova duket se po shkojnë drejt një marrëveshje të paktën për energjinë elektrike.

 

Në një deklaratë të dhënë të premten presidenti Aleksandër Vuçiç ka bërë të ditur se negociatat me Kompaninë Kosovare për Shpërndarjen e energjisë elektrike është drejt mbylljes.

 

Madje ai shprehet se tashmë mbeten për tu rregulluar çështjet teknike për të vazduar më tej me firmosjen.

 

Për mediet e Prishtinës nga Kompania Kosovare nuk mohuan e as pohuan nëse kanë zhvilluar biseda me Serbinë për këtë çështje, por shtuan se çdo marrëveshje e arritur do ta përmirësonte situatën në veri.

 

Çështja e energjisë elektrike në veri të vendit ka qenë subjekt i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga fillimi i dialogut.

 

"Çdo marrëveshje e arritur do ta ndryshonte situatën për mirë”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar ende deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

Në fakt pakti i parë për këtë çështje është arritur në vitin 2013 por ajo nuk është zbatuar deri më tani. Aktualisht, qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

 

Sipas Operatorit të Sistemit, humbjet në këtë zonë vetëm për vitin 2021 kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh.

 

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e kosovës nga komunat në jug të Ibrit. Por, më 2017, një praktikë të tillë e pezulloi Gjykata e Apelit, duke e konsideruar veprim të paligjshëm.

 

Më vonë, ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Faturat për energjinë e shpenzuar në veri të Kosovës i paguan KOSTT-i, gjegjësisht Qeveria e Kosovës./Burimi: Ora News


Më të lexuarat