Secondary Adv

Qeveria e Kosoves kunder heqjes se akcizes per naften: Rrit fitimet per tregtaret

Qeveria e Kosovës, konkretisht ministri i Financave, ka bërë të ditur se nuk do të hiqet akciza për naftën.

 

Madje, Qeverisë, këto janë thirrje për rritje të fitimit të tregtarëve. Çmimi i derivateve tashmë ka shkuar në rreth 2 euro.

 

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se thirrjet e opozitës për ulje ose heqje të akcizës së naftës janë thirrje për rritje të fitimit të tregtarëve, derisa shtoi se që nga marrja e detyrës, Qeveria nuk e ka ngritur asnjë taksë.

 

Murati shkroi në Facebook të hënën se asnjë veprim i Qeverisë Kurti nuk ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës. Sipas tij, rritja e çmimit vjen si pasojë e rritjes së çmimit të furnizimit nga importi.

 

“Prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi”, tha ministri i Financave.

 

Ai shtoi se thirrjet për ulje të TVSH-së apo akcizës nuk i shërbejnë interesit qytetar.

 

Kohëve të fundit, partitë opozitare kanë bërë thirrje për ulje ose heqje të tërësishme të akcizës. Aktualisht, tregtarët paguajnë 36 cent për çdo litër. Po ashtu partitë opozitare kanë bërë thirrje që edhe disa produkteve t’u ulet TVSH-ja, nga 18 në 8 për qind. Tani për tani, TVSH prej 8 për qind kanë vetëm produktet esenciale.

 

“Thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk u shërbejnë interesit të qytetarëve.

 

Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të rrisë fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër. Ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit te konsumatori”, shkroi tutje.

 

Murati potencoi se partitë, siç i quajti ai të “gardës së vjetër”, në emër të dhembshurisë për qytetarët, “me para të buxhetit tentojnë t’u bëjnë favore bizneseve të caktuara”.

 

“E kemi rastin e heqjes së taksës minerare për Ferronikelin dhe për gurthyesit ku buxheti ishte dëmtuar më shumë se 15 milionë euro, e kemi pagesën e 60 milionë eurove me pretendimin se po mbështesin punëtorët në pandemi, e në fakt më së shumti përfituan supermarketet dhe kemi shumë vendime tjera që kanë dëmtuar buxhetin e kanë rrezikuar bankrotimin e shtetit, gjithnjë duke u thirrur në emër të qytetarëve.

 

Njësoj edhe tani, në emër të qytetarëve, po kërkojnë që shteti të heq dorë nga të ardhurat e taksave, por qëllimi është rritja e fitimit për tregtarët”, pohoi ai. Aktualisht, çmimet derivateve janë shtrenjtuar për gati 0.15 centë në litër brenda një jave.

 

Kurse, ish-kryeministri Avdullah Hoti, që është profesor i ekonomisë, ka shpërndarë një tabelë dhe bashkë me të një analizë sesi do të mund të kushtonte më lirë një litër naftë, nëse Qeveria do të shkonte në disa hapa që ai beson që do të duhej ndërmarrë.

 

Ish-kryeministri Hoti ka dhënë një version të tij sesi po arrihet kjo. Ai ka pyetur Qeverinë si mund të krenohet me rritjet e të ardhurat buxhetore kur kjo është bërë në kurriz të qytetarëve, duke u rritur çmimet e mallrave e veçanërisht naftës.

 

Hoti ka shkruar se kur ka qenë një litër naftë 1 euro në Kosovë, TVSH ka qenë 14 centë. Tani ai thotë se me rritjen e çmimit të naftës, të ardhurat që i grumbullon shteti nga qytetarët janë dyfishuar.

 

“Kur çmimi i naftës në treg ishte 1 Euro, Qeveria mblidhte 14 centë TVSH për litër të naftës, siç shihet në tabelë në kolonën (e). Tani kur çmimi naftës sillet rreth 1.85 Euro, Qeveria mbledh 27 centë TVSH për litër, që është gati dyfish më shumë ngarkesë me TVSH për qytetarin.

 

Rrjedhimisht, Qeveria do të mund të përgjysmonte TVSH-në në naftë dhe prapë të mblidhte njësoj të hyra buxhetore. Pse nuk është bërë kjo deri më sot? Si mund të krenohet Qeveria për rritje të të hyrave kur kjo rritje vjen nga rritja e çmimit në kurriz të qytetarit?!”, ka shkruar ai.

 

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar që të bëhet debat në Parlamentin e Kosovës lidhur me rritjen e çmimeve. Kështu ka njoftuar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë.

 

“Kemi kërkuar debat parlamentar lidhur me ngritjen e çmimeve dhe masat urgjente që duhet të merren. Kemi propozuar edhe rezolutë. Kërkuam që ky debat të mbahet këtë të enjte, por partia në pushtet insistoi që agjenda është shumë e ngarkuar dhe mbetet për të enjten e ardhshme”, tha Gashi.

 

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) i ka propozuar Qeverisë që deri në fund të verës të suspendojë akcizën për derivatet e naftës. Sipas kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, kjo do të ndikonte që një litër të shitet më shumë se 35 centë më lirë.

 

Ai thotë madje që ka kërkuar, që marzha për import dhe shitje të derivateve të naftës të jetë së paku 2 për qind, kurse marzha për shitje me pakicë të jetë rreth 10 për qind. Sot një litër naftë është duke u shitur nga 1.86-1.90 euro në tregun e Kosovës.

 

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni ka arritur 12.5 për qind në muajin maj 2022 krahasuar me majin e vitit 2021. Sipas indeksit të çmimeve, karburantet janë shtrenjtuar 45,3 për qind në muajin maj të këtij vitit krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

 

Po kështu edhe vaji për gatim është shtrenjtuar 54.3 për qind./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rrit-fitimet-per-tregtaret-qeveria-e-kosoves-kunder-heqjes-se-akcizes-per-naften/)


Më të lexuarat