Secondary Adv

Furnizimi me uje i Korfuzit, greket synojne te nderhyjne te Syri i Kalter

Kryetari i Bashkisë së Korfuzit Verior ngre çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria, për të përballuar mungesën në dekadat e ardhshme, shkruan media greke ERT.

 

Siç thuhet në preambulën e propozimit të tij, “Menaxhimi i burimeve ujore është i lidhur drejtpërdrejt dhe i përfshirë në mënyrë aktive si me ekonominë dhe zhvillimin, ashtu edhe me mjedisin dhe është një parakusht për çdo formë të zhvillimit shoqëror.

 

Me saktësi matematikore dhe duke marrë parasysh si zhvillimet ashtu edhe situatën aktuale në vitet në vijim do të përballemi me krizën e ujit, krizë që po zvarritet me të njëjtat karakteristika për më shumë se 30 vite rresht.

 

Me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne paraqesim një propozim/memorandum teknik për furnizimin me ujë me transferim uji nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje,

 

duke marrë parasysh dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studimet ekzistuese si ai i Politeknikut (1991), që mund të përditësohet.

 

Deputetja e PD-së Ina Zhupa e ka ngritur këtë shqetësim sot dhe thotë se po përgatitet një marrëveshje mes Greqisë e Shqipërisë për të ndërhyrë te Syri i Kaltër.

 

“Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002. Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do ishin kategorisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie kulturore.

 

Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm por s’ka shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje e tillë e paligjshme në Syrin e Kaltër. Si mund të mendohej që kjo ndërhyrje e paligjshme të bëhej për të furnizuar Greqinë?!”, shkruan Zhupa./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat