Secondary Adv

2100 regjistra te demtuar ne Kadastren e Tiranes, prokuroria nis hetimet

Prokuroria ka nisur hetimet për Kadastrën e Tiranës, pas skandalit ku 2100 regjistra pronësie ishin të totalisht të dëmtuar.

 

Pas denoncimit nga vetë kreu i Kadastrës, Artan Lame për abuzimet, prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘zhdukje e vjedhjeve të dokumenteve’.

 

Abuzimet më të mëdha janë bërë me pasuritë në zonat në zhvillim të Kryeqytetit, si Farkë, Kashar, Yzberisht, Mëzez, Ndroq, Shëngjergj, Kamëz, Vorë, Bathore, Babrru etj.

 

"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke marrë shkas nga deklaratat e bëra në mediat e shkruara dhe audiovizive nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Z. Artan Lame,

 

lidhur me humbjen apo dëmtime të tjera të faqeve të regjistrave të kadastrës, për zonat në zhvillim të Tiranës si Farka, Ndroqi, Shën Gjergji etj, ka filluar kryesisht, hetimet duke regjistruar procedimin penal nr. 4807 datë 21.06.2022,

 

për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave”, parashikuar nga neni 248 dhe 192/a i Kodit Penal, pa autorë të dyshuar", thuhet në njoftim. 

 

Përmes një raporti të detajuar, për abuzimet dhe shkeljet me pronën në 30 vite në Kadastrën e Tiranës, Lame ka bërë më dije se nga 2342 regjistra në total, vetëm 250 prej tyre rezultojnë të pa dëmtuar.

 

Rreth 2100 regjistra janë totalisht të shkatërruar. Konkretisht, 515 faqe mungojnë tërësisht pasi janë grisur, qindra faqe janë të zëvendësuara, 914 faqe të dubluara, pra e njëjta pasuri është në emër të dy personave, ndërsa 13.000 faqe janë boshe.

 

Për të shmangur presionet, Lame tha se ky raport i është dërguar Kryeministrisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa do të përgatitet një raporti i detajuar për Kadastrat e çdo qyteti.

 

I njëjti skandal është konstatuar edhe në Kadastrën e Durrësit, ku shkrirja e saj dhe nisja e hetimeve të thelluara për abuzimet nxorën një raport me shkeljet,

 

ku u vu re se abuzimet janë përtej imagjinatës dhe zonat ku janë kryer paligjshmëri dhe plaçkitjet më të mëdha janë ato bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj.

 

Në Kadastrën e Durrësit vetëm 15% e dosjeve ishin pa probleme, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat