Secondary Adv

BB kritika qeverise per PPP, nuk ka transparence dhe kontroll

Banka Botërore dhe IFC në një studim vunë në dukje se, PPP shpesh nuk kanë qenë zgjedhja e duhur për të zgjidhur problemet infrastrukturore të Shqipërisë.

 

Niveli i lartë i borxhit publik e ka kufizuar ndjeshëm hapësirën buxhetore për shpenzimet e infrastrukturës.

 

“Ndërsa qeveria është përpjekur të mobilizojë kapitalin privat përmes PPP, përdorimi i tepruar i PPP, në një kontekst transparence të kufizuar dhe mbikëqyrje të dobët ka rezultuar në akumulimin e detyrimeve të rëndësishme kontingjente” evidentoi Banka.

 

Shumica PPP-të janë të angazhuara në projekte të mëdha të energjisë dhe transportit, për të cilat qeveria ka dhënë garanci çmimi ose vëllimi.

 

Sipas Bankës Botërore shumica e kontratave ekzistuese PPP janë dhënë përmes propozimeve të pakërkuara dhe mungesës së garës, duke ndaluar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj.

 

Gjatë ristrukturimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në 2018, qeveria krijoi një Njësi të Riskut Fiskal për të menaxhuar rreziqet fiskale që rrjedhin nga PPP e zbatuara nga ministritë e linjës, por kësaj njësie ende i mungon kapaciteti për të kryer funksionet kryesore, vuri në dukje Banka.

 

U miratuan udhëzime të reja në mars 2018 që synojnë të kufizojnë pranimin e ofertave të pakërkuara të PPP, dhe projektbuxheti 2019 përfshinte një listë të PPP-ve të miratuara. Pavarësisht këtyre përmirësimeve, transparenca në lidhje me përdorimin e PPP mbetet e kufizuar.

 

Periudha e pas-krizës globale 2008 ngushtoi hapësirën fiskale. Qeveria u kthye gjithnjë e më shumë partneriteteve publike-private (PPP) për plotësuar nevojat e investimeve publike.

 

Por kjo qasje sipas BB, ka rezultuar në krijimin e detyrimeve të mëdha kontingjente jashtë buxhetit. Që nga viti 2019, numri total i kontratave koncesionare dhe PPP arriti në 224, dhe vlera totale e tyre arriti në 31 për qind të PBB-së.

 

Nga këto, 186 kontrata, me një vlerë në masën 24 për qind të PBB-së, iu dhanë projekteve të sektorit të energjisë. Sektori tjetër më i madh ishte transporti, me vetëm 17 kontrata që përfaqësojnë 4 për qind të PBB-së.

 

Banka vuri në dukje se, ka një integrim të dobët të PPP në prioritetet e përcaktuara në strategjitë kombëtare. 75 për qind e kontratave PPP të nënshkruara në 2012- 2018 janë dhënë me propozime të pakërkuara.

 

Analiza thekson se, PPP-të ekzistuese nuk monitorohen sistematikisht dhe informacioni mbi performancën e tyre është shumë i rrallë.

 

“Gjatë një ristrukturimi 2018, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë krijoi një Njësi të Riskut Fiskal për të menaxhuar rreziqet fiskale të paraqitura nga PPP-të e zbatuara nga ministritë e linjës.

 

Njësisë ende i mungon kapaciteti i mjaftueshëm për të monitoruar rreziqet e PPP, por ndërkohë numri i kontratave që po jepen nga drejtoria tjetër e Koncesioneve është rritur ndjeshëm që nga viti 2018” thekson Banka.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bb-kritika-qeverise-per-ppp-te-nuk-ka-transparence-dhe-kontroll-po-krijojne-detyrime/


Më të lexuarat