Secondary Adv

Vijon puna per lagjen e re ne Kombinat, Veliaj: Kete vit strehojme familjet e para

Ditë pas dite po merr formë lagjja e re “KombinArt”, ku do të strehohen familjet që mbetën pa shtëpi nga tërmeti i Nëntorit 2019.

 

Pas zhbllokimit të procesit, si pasojë e disa çështjeve gjyqësore, rindërtimi i zonës ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme, teksa po ngrihen pallatet e reja me nga 6 dhe 8 kate, po ashtu edhe infrastruktura ndihmëse për 21 mijë banorët e rinj.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se procesi i rindërtimit po ecën shpejt, për të kapur kohën e humbur si pasojë e bllokimeve. “Nuk do reshtim asnjë ditë të verës! Do të punojmë për të kapur kohën e humbur.

 

Kryebashkiaku siguroi se bonusi i qirasë për familjet e prekura, do të vijojë deri në marrjen e çelësave të banesave të reja. “Ne do ta vazhdojmë ta japim bonusin e qirasë derisa të jenë gati të gjitha apartamentet dhe banorët të marrin çelësat në dorë.

 

Fakti që të gjitha godinat kanë kopshte të brendshme, kënde lojërash, hapësira të gjelbra është një lajm fantastik. Këtu do të kenë një parking nëntokësor, për të garantuar parking për secilin apartament dhe secilën familje, sigurisht pastaj edhe zonën e shërbimit.

 

Do ndërtojmë një komunitet me më shumë cilësi dhe sigurisht, me më shumë siguri”, shtoi ai. Puna me rindërtimin po vijon edhe në zonat rurale. Veliaj siguroi se brenda këtij viti historia e rindërtimit aty do të mbyllet.

 

“Kemi ecur shumë më mirë në zonat e tjera rurale. Kur ke një fushë të madhe, në pronësi të shtetit, sigurisht puna ecën më shpejt. Kur ke një molepsje të politikës me zaptimin, me pronat, me gjykata, sigurisht që puna ecën më ngadalë.

 

Ne do të përurojmë shumë shpejt shtëpitë e reja në fshatin e ri në Zall-Herr, për të vijuar më pas me Pezën dhe Baldushkun”, shtoi ai.

 

Kombinati do të jetë një pol i ri në kryeqytet, jo vetëm me banesa të reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Të gjitha apartamentet janë bashkëkohore, të gërshetuara sheshe urbane, objekte arsimore, që rrisin cilësinë e jetës në këtë lagje të re./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat