Secondary Adv

Nuk ndalet renia e Euros, regjistrohet rekordi i ri ne tregun vendas

Kursi i këmbimit të Euros vazhdon të shënojë rekorde të reja në rënie.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, ditën e mërkurë Euro preku një minimum të ri historik, duke arritur nivelin e 119.54 Lekëve. Agjentët e këmbimit valutor mendojnë se rënia e paprecedentë e Euros kundrejt Lekut tashmë po nxitet kryesisht nga elementi sezonal.

 

Sipas tyre, në ditët e fundit ka një rënie të ngadaltë, por të qëndrueshme të kursit, të lidhur kryesisht me shtimin e prurjeve nga turizmi.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente për tre muajt e parë të vitit kishte vlerën e 233 milionë Eurove, vlerë kjo 57% më e ulët krahasuar me tremujorin e fundit 2021 dhe 22% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Nga ana tjetër, efekti i rritjes së çmimeve në bilancin tregtar të vendit këtë vit po rezulton më i kufizuar krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

 

Rritja e deficitit tregtar në mallra këtë tremujor është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me tremujorin IV 2021, ndërsa llogaria e shërbimeve ka rritur edhe më shumë kontributin e vet pozitiv.

 

Ky faktor ka zbutur kërkesën për euro dhe trysnitë nënçmuese në kursin e këmbimit të Lekut ndaj monedhës europiane.

 

Paralelisht, llogaria e shërbimeve ka vazhduar të përmirësohet, kryesisht falë ndikimit pozitiv nga turizmi, shërbimet e transportit dhe ato të fasonerisë.

 

Këtë vit, numri i vizitorëve nga jashtë vendit është kthyer pranë niveleve të para pandemisë dhe kjo po reflektohet në shtimin e flukseve valutore hyrëse. Hyrjet e shtetasve të huaj u zgjeruan me 42% me bazë vjetore në 4-mujorin e parë të vitit.

 

Të ardhurat nga turistët për tremujorin e parë të vitit arritën vlerën rekord të 409 milionë Eurove, në rritje me 70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Edhe të ardhurat nga shërbimet e fasonerisë shënuan një vlerë rekord prej 158 milionë Eurosh, 24% më shumë krahasuar me një vit më parë.

 

Tashmë që efekti i rritjes së çmimeve të importit duket të jetë disi më i zbutur, rritja e prurjeve nga sezoni turistik po rrit ofertën e Euros në treg po ndikon në nënçmimin më të madh historik të valutës europiane.

 

Agjentët e këmbimit presin që tendencat e kursit të jenë të ngjashme përgjatë gjithë sezonit veror, çka nënkupton pritshmëri për zhvlerësim të mëtejshëm të Euros kundrejt Lekut.

 

Forcimi i Lekut ndaj Euros, që është edhe monedha kryesore në këmbimet e tregtisë së jashtme të vendit, ka një efekt amortizues në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare.

 

Në muajin maj, inflacioni arriti në 6.7%, niveli më i lartë në më shumë se 20 vjet. Sidoqoftë, Shqipëria raporton ndër nivelet më të ulëta të inflacionit në Europë.

 

Një nga faktorët që vlerësohet se i ka zbutur disi presionet e jashtme inflacioniste ka qenë pikërisht edhe kursi i këmbimit. Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut, në vlerat aktuale, paraqitet në rënie me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/nuk-ndalet-renia-e-euros-zbret-ne-rekordin-e-ri-prej-119-54-lekesh/


Më të lexuarat