Secondary Adv

Vlera e banesave ne Tirane eshte rritur me mbi 60 per qind brenda 8 viteve

Rreth 80% të pasurisë së familjeve shqiptare e zënë pikërisht pronat.

 

Pra, pjesa dërrmuese e pasurisë së një familje mesatare shqiptare përfaqësohet pikërisht nga prona. Këto shifra marrin edhe një tjetër sens nëse shtojmë faktin se 65% e pasurisë së familjeve shqiptare përfaqësohet nga banesa kryesore, apo se mbi 90% e familjeve e zotërojnë banesën ku ata jetojnë.

 

Rritja e çmimeve të banesave gjatë viteve të fundit ka qenë e ndjeshme, duke bërë që edhe vlera e pronës për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare, sidomos në kryeqytet, të rritet në nivele të konsiderueshme.

 

“Scan Intel” ka analizuar me hollësi shifrat publike sa i përket tregut imobiliar në kryeqytet, për të kuptuar se si ka ndryshuar vlera e banesave ndër vite.

 

`Indeksi Fischer`i Bankës së Shqipërisë, i vetmi indikator zyrtar që mat ecurinë e çmimit të banesave tregon se, në fund të vitit 2020, në Tiranë, rritja fiksohet pranë 46.7% krahasuar me periudhën bazë, vitin 2013.

 

 

Në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020, çmimet e banesave rezultojnë 8.5% më të larta në kryeqytet. Pra, nga viti 2013, deri në vitin 2021, në harkun e 8 viteve, vlera e banesës si pronë në Tiranë është rritur me rreth 60%, sinjalizojnë shifrat zyrtare.

 

Për 2022 nuk ka ende të dhëna publike sa i përket çmimit të banesave në vetvete, por të dhëna të tjera nga INSTAT në lidhje me `indeksin e kushtimit në ndërtim`, që mat kostot e sektorit, sinjalizojnë një rritje të mëtejshme të çmimeve, çka do të thotë se nga 2013 e deri më sot, vlera e banesës së një qytetari të Tiranës është rritur mbi 60%.

 

Po në vlerë, sa është përfitimi? Në analizën për kryeqytetin, do të marrim një çmim reference të një banese me vlerë 100 mijë euro, pra të një banese 100 metra katrorë me një çmim prej 1 mijë eurosh për metër, për 2021, duke qenë se Tirana ofron çmime më të larta se mesatarja kombëtare.

 

Në rast se banesa e një familje në kryeqytet në 2021 vlente 100 mijë euro, bazuar në termat e rritjes së `Indeksit Fischer` ndër vite, për Tiranën, atëherë, në vitin 2020 kjo vlerë fiksohej në rreth 92 mijë euro dhe në 2013-ën, pranë 62 mijë eurove.

 

Pra, e njëjta banesë që në 2021-shin kushtonte 100 mijë euro në kryeqytet, në 2013-ën, 8 vjet më parë, kushtonte vetëm 62 mijë euro. Pra, rritja fiksohet afërsisht në 38 mijë euro.

 

Në Tiranë ndërkohë, madhësia e familjes mesatarisht fiksohet në 3.8 anëtarë. Kjo do të thotë se, në harkun e 8 viteve, vlera e të njëjtës pronë në kryeqytet është rritur me rreth 10 mijë euro për individ.

 

Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se, për pronat jashtë qytetit, brenda qarkut të Tiranës, që kryesisht i referohet zonave rezidenciale, çmimet e banesave janë rritur me një hap më të lartë se mesatarja e kryeqytetit dhe ajo kombëtare, mbi 7 pikë përqindje diferencë, çka sinjalizon rrjedhimisht një rritje më të lartë të vlerës.

 

Këto shifra i referohen një mesatare të përafërt, duke qenë se të dhënat i atribuohen një anketimi, mbi aktorët e tregut në rastin e çmimeve të banesave.

 

Gjithashtu, në përllogaritje nuk është përfshirë viti 2022, ku çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm, si pasojë e rritjes së konsiderueshme të kostove në ndërtim.

 

Sipas INSTAT, vetëm në tre muajt e parë të vitit, kjo kosto është rritur me të paktën 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit pararendës./Burimi: Scan


Më të lexuarat