Secondary Adv

Tatimet ne Kosove arketuan 355 milione euro per gjashte muaj

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka thënë se gjatë periudhës 6 mujore ATK-ja ka mbledhur 355 milionë euro të ardhura tatimore.

 

Ndërsa, për këtë ia lë meritat disa faktorëve, si fuqizimit të kontrollit të brendshëm, efikasitetit në mbledhjen e borxheve e dixhitalizimit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, Administrata Tatimore e Kosovës, i ka mbledhur 355 milionë euro të ardhura, duke tejkaluar planin për 26 milionë euro.

 

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, deklaroi të martën, se në rritjen e të ardhurave ka ndikuar “fuqizimi i kontrollit të brendshëm dhe rritja e efikasitetit në mbledhjen e borxheve”.

 

“Kjo ka bërë që gjatë kësaj periudhe të arrijmë t’i tejkalojmë planifikimet për 26.5 milionë euro apo 8.1 për qind, si dhe të kemi tejkalim të të ardhurave për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 22.9 për qind apo 66.3 milionë euro”, deklaroi Murtezaj.

 

Ai tha se ATK-ja vazhdon të përballet me sfida në pjesën veriore të vendit, ndërsa paralajmëroi shtim të numrit të inspektorëve.

 

“Sa i përket shtimit të stafit, ne për vitin e ardhshëm kemi paraparë të ketë shtim të inspektorëve, pra në kornizën afatmesme të shpenzimeve janë alokuar disa pozita, qoftë për Administratën Tatimore, Doganën apo inspektorate të tjera, inspektorati i punës, tregut e të tjera.

 

Pritet që shumë shpejtë të ketë lëvizje edhe në atë drejtim, megjithatë, administrata publike në përgjithësi ka edhe sfida të tjera të cilat janë trashëgimi e disa ligjeve që janë miratuar më herët dhe kanë bërë një centralizim ndoshta të rekrutimit pa i përshtat kapacitetet rekrutuesen njëkohësisht”, ka thënë ai.

 

Ministri i Financave, Hekuran Murati, derisa u bëri thirrje qytetarëve të kërkojnë kupon fiskal pas çdo blerjeje, tha se parakusht në rritjen e të ardhurave është edhe besimi në institucione.

 

“Jemi të interesuar të shohim edhe më tutje forcim të institucioneve shtetërore. Normalisht kjo vjen fillimisht me rritjen e besimit në to, pra besimit në institucione nga ana e qytetarëve, pastaj edhe forcim duke rritur integritetin”, tha Murati.

 

Për sfidën e mbledhjes së të ardhurave në veri të Kosovës, Murati potencoi se në vitet e fundit, ka pasur më shumë aksione policore në atë zonë, sesa gjatë tërë 10 vjetëve të fundit.

 

“Sidomos dogana, ndalimi i kontrabandës, luftimi i kontrabandës, por edhe ndërhyrjet e policisë për të luftuar aktivitetet e tjera ilegale, kështu që është një proces gradual por prapë po e them se tempoja është më e shpejtë dhe më e mirë”, shtoi ai.

 

Murtezaj theksoi se ATK-ja është duke punuar në gjetjen e një modaliteti për rimbursimin e qytetarëve nga kuponët fiskalë. Kjo me qëllim që të nxitet kërkimi i kuponit fiskal nga konsumatorët.

 

Vite më parë, për një kohë zgjati një fushatë ku qytetarët shpërbleheshin me shuma simbolike për një numër të caktuar të kuponëve të mbledhur. Më pas kjo u kthye me lotari, e pas pak kohësh u hoq dorë krejtësisht.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/per-gjashte-muaj-administrata-tatimore-e-kosoves-ka-arketuar-355-milione-euro/


Më të lexuarat