Secondary Adv

Tensionet ne veri te Kosoves, kreu i NATO-s: Shmangni veprimet e njeanshme

Pas tensioneve në veri të Kosovës me Serbinë për çështjen e reciprocitetit për targat, kreu i NATO-s bën thirrje për qetësi.

 

Stoltenberg ka bërë thirrje që të gjithë palët të ruajnë qetësinë dhe të shmangen veprimet e njëanshme.

 

‘Fola me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë rëndësinë e vazhdueshme të misionit të NATO-s dhe KFOR.

 

Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin.’- shkruan Stoltenberg.

 

Reagimi i tij vjen pas tensioneve në veri të Kosovës, të shkaktuara nga marrëveshja për reciprocitetin e targave.

 

Kryeministri Albin Kurti vendosi sot që të shtyjë një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

 

Pavarësisht shtyrjes së vendimit, policia e Kosovës tha se situata në mëngjesin e sotëm ishte e qetë, por rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, u liruan vetëm në orët e vona të 1 gushtit.

 

Kurti tha se ka pasur të shtëna dhe barrikada me njerëz të armatosur por nuk pati të lënduar.

 

Vendimi për shtyrjen e zbatimit për reciprocitetin, u mor pak pas mesnate, pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. /Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat