Secondary Adv

Protesta e pronareve te mjeteve lundruese: Bllokohen per shkak te nje aksidenti, po na lene pa buke

Na kanë bërë një padrejtësi që po na lë pa bukë’, kështu u shprehën pronarë e administratorë të mjeteve lundruese në Vlorë të cilët kanë dalë mëngjesin e kësaj të shtunë në protestë pasi prej disa ditësh si pasojë tragjedisë së ndodhur në Himarë, është ndaluar përdorimi i tyre.

 

Megjithatë, protestuesit u pritën nga efektivi i policisë kufitare i cili u tha se mjetet do të rikthehen sot në det pas verifikimit të dokumentacionit. Gjithashtu ai u theksoi se nëse ka një person mbi kapacitetin e mjetit, do u bllokohet. 

 

Duke sqaruar se janë vetëdijshëm për tragjedinë e Himarës, pronarë e administratorë të cilët protestuan përpara policisë kufitare, sqaruan përpara mediave se nuk mund të bëheshin shembulli i një njeriu që vret. 

 

Qytetarët shpjeguan më tej se problemet me jetesën, kreditë, sigurimi i ushqimit për fëmijët e për më tepër, fitimet e një sezoni të cilat parashikohen për gjithë vitin, e kthejnë situatën në një padrejtësi që po i vihet në kurriz disa njerëzve për shkak të një vrasjeje, duke iu referuar ngjarjes së rëndë ku Arjan Tase goditi për vdekje 7-vjeçaren në plazhin Potam të Himarës.

 

'Bashkohemi me dhimbjen e familjes që humbi vajzën në atë aksident tragjik që është një tragjedi që të gjithë e kuptojnë por si pasojë e saj na kanë bërë një padrejtësi që po na lë pa bukë. Nëse i ka njeri afër plazhit mjetet, t’ia sekuestrojnë. Nëse vrau njëri dikë, duhet ta pësojmë neve? Këta po ruajnë postet e tyre për të ushqyer fëmijët e tyre, por ne t’i lëmë rrugëve? Si të paguaj kredinë, si t’i jap rrogën punonjësve?'- tha protestusi

 

‘Drita jeshile’ nga efektivi i policisë kufitare ‘qetësoi’ protestuesit thënë se pritet të vijnë përfaqësues të lartë të policisë kufitare në vendqëndrimin e porteve dhe do t’i lejojnë mjetet lundruese që pas kontrolleve të dokumentacionit të dalin në det. Ai më pas i sqaroi edhe njëherë lidhur me rregullat që duhen ndjekur.

 

'Do kini parasysh zbatimin e rregullave të lundrimit në det. Kush është me licencë edhe ata që janë me familjarë të kenë salvagenta. Dhe në rast se do kapet një shtetas mbi kapacitetin e mjetit, do t’u bllokohet. Kujdes hyrjet dhe daljet në korridore, duhet ardhur brenda atyre normave të lejuara 4 milje. Jeni dëshmitarë për atë që ndodhi, nuk do të thotë që ndodhi atje dhe ne s’kemi punë. Ata që nuk kanë dokumente të bëjnë ndonjë fotokopje’- sqaroi efektivi i policisë kufitare për protestuesit. 

 

Në kulmin e sezonit turistik, për shkak të ngjarjes tragjike në Himarë, asnjë mjet lundrues duke filluar që prej ditës së djeshme nuk do të dalë dot në det. Ky vendim, i konfirmuar më 5 gusht nga Drejtori i ri i drejtorisë së Kufirit të Vlorë, Eduart Sulejmani nxiti edhe revoltën e qytetarëve të Vlorës të cilët dolën sot përpara policisë kufitare.

 

Sulejmani u shpreh se mjetet lundruese që të lëvizin në det duhet të kenë një sërë dokumentesh, që nga ato të mjetit, licencë turistike, NIPT të regjistruar në QKR, kontratë me zyrën e punës, të jenë të siguruar etj. Nëse do të mungojë qoftë dhe një dokument do të merren masa administrative deri në bllokim të mjetit lundrues.

 

Dy ditë më parë, ishte policia kufitare cila jepte lejet për gomonet që te lëviznin në det, ndërsa në det ishte dhe gomonia e policisë që kontrollonte mjetet për dokumentacionin. Më pas policia dha urdhër që të mos lëvizë asnjë mjet lundrues në det. Në këtë mënyrë, pronarët janë detyruar të kyçin mjetet lundruese që i jepnin me qira gjatë sezonit veror.

 

Kjo vjen pas tragjedisë në Himarë ku komisari Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia teksa drejtonte gomonen. Edhe Policia Kufitare e Sarandës e Ksamilit ka marrë vendimin për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve motorike. Ky vendim parashikon se asnjë mjet uji jet ski dhe skaf nuk do të lejohet të akomodohet dhe qarkullojë në ujërat e 140 plazheve private dhe 5 plazheve publike në Sarandë dhe Ksamil.

 

Vendimi përjashton vetëm mjetet ujore të licencuara për udhëtime turistike, të cilat do të lejohen të dalin vetëm nga Porti dhe nga Limani dhe nuk do të lejohet hyrja dhe dalja e tyre nga territoret e plazheve apo mole të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe të cilat nuk janë të licencuara.

 

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua më 2 gusht në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar gomonen ka goditur për vdekje një 7-vjeçare. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia. Sot pritet të jepet masa e sigurisë për akuzën "vrasje me dashje", nga e cila rrezikon 10-20 vite burg. Burimi: /shqiptarja.com/


Më të lexuarat