Secondary Adv

Vendimi, Prishtina ndalon qarkullimin e patinave elektrike

Nga fillimi i kësaj jave hyri në fuqi vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e qarkullimit të patinave elektrike, biçikletave elektrike dhe motoçikletave elektrike.

 

Ka kohë që qarkullimi i qytetarëve me patinat elektrike nëpër sheshe dhe hapësira më shumë të frekuentuara nga këmbësorët, është bërë shqetësim për qytetarët.

 

Ndonëse konsiderohet se e kanë lehtësuar transportin rrugor, patinat elektrike kanë shënuar një rritje të aksidenteve të cilat nuk kanë qenë të lehta.

 

Për këtë, Komuna e Prishtinës ka ndaluar qarkullimin e patinave elektrike në sheshet kryesore të qytetit si dhe në hapësirat ku ka shumë këmbësorë. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

 

Ai ka treguar kjo masë është marrë deri në votimin e rregullores për patinat elektrike. “Me vendim të Kryetarit, kemi ndaluar qarkullimin e patinave elektrike në sheshet e Prishtinës dhe në vendet ku ka frekuentim të madh këmbësorësh!

 

Kjo masë e domosdoshme është marrë deri në votimin e rregullores, e cila është duke u punuar”. Florian Dushi, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ka sqaruar se në cilat zona është i ndaluar qarkullimi i patinave.

 

“Fjala është për sheshet qendrore të Prishtinës dhe për hapësirat e tjera të cilat si natyrë janë të ndërtuar dhe si mënyrë se si shfrytëzohen, janë të dedikuar ekskluzivisht për këmbësorë”.

 

Megjithatë, ndonëse jo në shesh, nëpër trotuare në rrugët në qendër të Prishtinës është parë se kanë qarkulluar patina, përkundër vendimit ndalimin e tyre.

 

“Për gjoba nuk mund t’ju them asgjë në këtë moment, por gjithsesi që ka mjaft shumë raste që kemi të raportuara në Drejtorinë e Inspeksionit për të cilat inspektorët e rendit komunal që kanë hasur dhe i kanë ndaluar dhe larguar të njëjtit prej shesheve”, tha Dushi.

 

Ndonëse konsiderohet se e kanë lehtësuar transportin rrugor, patinat elektrike kanë shënuar rritje të aksidenteve të cilat nuk kanë qenë të lehta. “Aksidentet që kanë ndodhur me patinat elektrike, në Policinë e Kosovës nga 1 janari deri me 31 korrik janë raportuar 30 aksidente.

 

Vlen të ceket që numri i aksidenteve dhe incidenteve me këto mjete është me i madh, mirëpo Policia e Kosovës është lajmëruar për 30 raste të tilla e të cilat i ka trajtuar”, kanë treguar në Policinë e Kosovës.

 

Vendimi për ndalimin e patinave elektrike është marrë për shkak të mungesës së një rregulloreje të veçantë.

 

Zyrtarët të Komunës së Prishtinës kanë thënë se po punojnë për hartimin e një rregulloreje që rregullon këtë çështje, e cila shumë shpejt pritet të dalë në dëgjim publik.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/prishtina-ndalon-me-vendim-qarkullimin-e-patinave-elektrike/


Më të lexuarat