Secondary Adv

Dhjetefishimi i gjobave ne paketen e re fiskale, hap pas per fiskalizimin

Dhjetëfishimi i gjobave në paketën e re fiskale jo vetëm që shkelin parimin e proporcionalitetit, por pritet të rrisin edhe korrupsionin nga tatimorët.

 

Këto shqetësime për ndryshimet në projektligjin “Për procedurat tatimore” ngrihen nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar të Shqipërisë.

 

Për kontabilistët shumëfishimi i gjobave nuk përkon as me sistemin e fiskalizimit që nisi zbatimin prej gati 2 vitesh. Sipas tyre kjo konsiderohet një hap pas dhe interpretohet se sistemi i ri ka dështuar.

 

Kryetari i këshillit drejtues të IKM në letër me komentet për paketën fiskale që i është dërguar Komisionit të Ekonomisë dhe Financave sugjeron që këto penalitete të ndryshohen dhe të jenë proporcionale me dëmin e shkaktuar.

 

“Parashikimi e penaliteteve shumë të larta fikse jo konform parimit të proporcionalitetit të detyrimit të papaguar si rezultat i shkeljes, ndërkohë që sistemi i ri i fiskalizimit presupozon formalizimin e bizneseve,

 

që do të thotë që dënime të tilla administrative nuk përkojnë me qëllimin e implementimit të këtij sistemi, të tilla si: gjobë prej 50,000 lekësh për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të TAP nga biznesi apo vetëpunësimi;

 

100,000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të TAP me TVSH. Nëse malli ka vlerën 10,000 lekë atëherë do të paguhet një gjobë 75 herë më e lartë.

 

Gjobë prej 1,500,000 lekësh për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ për moslëshimin e faturave dhe të faturave shoqëruese.

 

Këto sanksione do të sjellin rritje presioni ndaj biznesit, si dhe një mundësi shumë të lartë reale që të shfrytëzohen nga punonjësit e Administratës Tatimore për korrupsion. Do të sugjeronim që këto penalitete të ndryshohen dhe të jenë proporcionale me demin e shkaktuar.

 

Herën e parë të gjetjes së shkeljes të jetë jo më shumë se 100% e vlerës së detyrimit, kurse në rast përsëritje të jetë 100% ose 200% i shumës së tatimit të shmangur, si dhe masa të tjera që mund shkojnë deri në kallëzim penal, etj”, pohojnë në letrën e tyre anëtarët e IKM.

 

Paketa fiskale e vitit 2023 nuk sjell ndryshime thelbësore në ligjet e tatimeve përveçse i rrit se tepërmi penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve dhe unifikon akcizën për industrinë e birrës dhe pijeve alkoolike.

 

Një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore synon dhjetëfishim të gjobave për mos- lëshimin e faturave për furnizim, pagesë apo pranim të mallrave apo shërbimeve në rastet e parashikuara në germën a, të pikës 3 të nenit 123 për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ.

 

Sipas ndryshimeve të propozuara, “për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ ishte 150,000 lekë, bëhet 1,500,000 lekë.”

 

Ndryshimet parashikojnë rritjen e penaliteteve për tatimpaguesit entitete për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës. Në legjislacionin aktual penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit.

 

Në ndryshimet e reja bëhet 200% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100% të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.

 

Sipas Ministrisë së Financave ky ndryshim vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/dhjetefishimi-i-gjobave-me-paketen-fiskale-ikm-hap-pas-per-fiskalizimin-do-rrisin-presionin-te-biznesi-per-korrupsionin-e-tatimoreve/


Më të lexuarat