Secondary Adv

BE kerkon te vendose kufi per cmimin, bie me 4 per qind nafta ne tregje

Çmimet e naftës pësuan rënie ditën e mërkurë pas raportimeve se BE po shyqrton vendosjen e një kufiri për çmimin e naftës ruse në nivelin 65-70 dollarë për fuçi.

 

Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar, ra me 4% duke shkuar në 84,86 dollarë. Nafta e papërpunuar West Texas Intermediate ra me 4.2%, duke shkuar në 77.55 dollarë për fuçi.

 

Kufiri i çmimit ka si qëllim të sigurojë një alternativë ndaj ndalimit të BE-së për importet e naftës ruse nga deti dhe për shërbimet e lidhura me këtë proces në mbarë botën, plan i cili pritet të hyjë në fuqi më 5 dhjetor.

 

Mbështetësit e kësaj nisme shpresojnë të sigurohen që furnizimet ruse të vazhdojnë të jenë pjesë e tregjeve globale, duke parandaluar kështu mundësinë e një goditjeje te çmimi në përpjekje për të kufizuar të ardhurat e Moskës nga eksportet.

 

Ambasadorët e BE u takuan të mërkurën për të diskutuar lidhur me këtë kufi, i cili u propozua për herë të parë nga G7 pas pushtimit rus të Ukrainës. Intervali prej 65-70 dollarë është në përputhje me mesataren historike përpara se Rusia të niste luftën e saj kundër Ukrainës në fund të shkurtit.

 

Por, një diplomat i BE-së tha për Reuters se Polonia, Lituania dhe Estonia e konsiderojnë shumë të lartë këtë nivel dhe, në vend të tij, kërkojnë që çmimi të vendoset në varësi të kostos së prodhimit, që do të thotë se Rusia nuk do të ketë asnjë fitim nga shitja e kësaj nafte.

 

Një grup vendesh i BE-së, i cili përfshin Poloninë dhe shtetet baltike, po kërkojnë një paketë të re sanksionesh të BE-së ndaj Rusisë për të kompensuar planin që nuk është aq i ashpër sa mendohej fillimisht, raportoi Bloomberg.

 

Ndërkohë që klientët perëndimorë i shmangen tregtisë me Moskën, Rusia ka shitur naftën e saj të papërpunuar me një çmim më të ulët, që sipas disa analistëve është aktualisht nën kufirin e propozuar të çmimit.

 

Ndërkohë, “Qiproja, Greqia dhe Malta mendojnë se shifra është shumë e ulët, për shkak të rrezikut për çregjistrimin e akoma më shumë anijeve nga regjistrat e tyre kombëtare, gjë që tregon se G7 ka gjetur të mesmen e artë,” citoi Reuters një diplomat./Burimi: Business Insider/Monitor 


Më të lexuarat