Secondary Adv

Kosova i vetmi vend ne Rajon ku qeset e plastikes jepen falas

Ndonëse, autoritetet në Kosovë kishin konfirmuar se nga janari i këtij viti qeset e plastikës do të bëheshin me pagesë, një masë e tillë nuk ka nisur të aplikohet.

 

Arsyeja e mosaplikimit të kësaj mase, sipas zëvendësministres të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha është mosfinalizimi në tërësi i një udhëzimit administrativ që e rregullon këtë çështje.

 

“Ky udhëzim administrativ për ambalazh dhe mbeturinat e ambalazhit nuk rregullon vetëm çështjen e qeseve të plastikës, por edhe sistemin e rimbursimit të depozitave për shishet [xham, kanaçe dhe plastikë] dhe te kjo pjesë kemi hasur disa mangësi për rregullimin e të këtij sistemi.

 

Andaj, jemi detyruar që ta shtyjmë miratimin e këtij udhëzimi derisa sa të rregullojmë dhe pjesën tjetër”, thotë ajo. Çavdarbasha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë nuk jep ndonjë afat kohor se kur mund të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ.

 

Por, ajo shton se pas ndryshimeve të bëra, udhëzimi administrativ duhet edhe njëherë të dalë në diskutim publik dhe pastaj të shkojë në Qeveri.

 

Sipas Çavdarbashkës, vendosja e një çmimi për qese të plastikës do të jetë fazë tranzitore, pasi që synimi është që në të ardhmen të largohen nga përdorimi qeset e plastikës.

 

Për natyrën qeset e plastikës janë të dëmshme dhe atyre u duhen shumë vite të dekompozohen. Përveç kësaj, kur qeset e plastikës shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike.

 

Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), çdo minutë, në të gjithë botën, përdoren një milion qese të plastikës. ipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në 2021 janë grumbulluar 485 mijë tonë mbeturina komunale - ku përfshihen edhe qeset e plastikës.

 

Gjatë një viti, mesatarja e mbeturinave për kokë banori është 273 kilogramë apo 0.75 kilogram në ditë. Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë japin mendime të ndryshme sa i përket udhëzimit administrativ, i cili do t’i bënte qeset e plastikës me pagesë.

 

“Qeveria po dëshiron përfitime nga popull. Çdo qytetarë me paga të vogla nuk mundet me blejë edhe qeset. Më mirë është të marrimnjë shportë me vete”, thotë Ilmi Sojeva nga Prishtina.

 

“Për mua nuk do të ishte mirë të bëhen me pagesë sepse këto qese unë i përdori edhe për mbeturina edhe për nevoja tjera”, thotë Sylejman Mustafa, një qytetar tjetër rreth të 50-tave.

 

Ndalim i plotë i qeseve të plastikës

Vendosjen e një tatimi mbi përdorimin e materialeve plastike, siç janë shishet dhe qeset e plastikës, ishte paraparë edhe në Strategjinë e Kosovës për Mjedisin 2013-2022.

 

Por, kjo nuk ishte realizuar brenda kësaj periudhe të kësaj strategjie. Aktivistja mjedisore, Egzona Shala - Kadiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova po vonohet në marrjen e vendimeve që të ndikonin pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit.

 

Ajo kujton se që nga viti 2013 është në diskutim çështja e qeseve të plastikës, dhe siç thotë Shala – Kadiu, ka pasur mjaftueshëm kohë për të nisur aplikimin e çfarëdo mase që do ndikonte në reduktimin e përdorimit të qeseve të plastikës.

 

“Viteve të fundit, Kosova po vonohet me marrjen e vendimeve të tilla që kanë një ndikim te ndryshimi i sjelljeve të qytetarëve. Ndotja, si koncept, edhe këtë vit është një ndër problemet kryesore, e që më së paku po diskutohet e adresohet në format e duhura”, thotë Shala-Kadiu.

 

Këto veprime, siç është reduktimi i qeseve të plastikës, shton Shala – Kadiu, i nevojiten Kosovës në rrugën e saj të integrimit. “Kosova po mbetet mbrapa në një çështje shumë të thjeshtë, në një çështje shumë pozitive për ambientin”, thekson ajo.

 

Ndërkohë, edhe një grup i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit, në shtator të vitit të kaluar në raportin e titulluar “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”, i kishin bërë thirrje institucioneve qeveritare të veprojnë menjëherë dhe me hapa konkretë drejt përmirësimit të gjendjes mjedisore dhe përmirësimit të shëndetit publik.

 

Në këtë aspekt, përveç tjerash, ata kishin rekomanduar të merren vendime për kufizimin ose ndalimin e plotë të përdorimit të qeseve plastike. Për Kosovën, prodhimi i plastikës luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin industrial.

 

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019 në sektorin “Prodhimi i gomës dhe plastikës”, ishin të punësuar afër 3.000 persona në 481 ndërmarrje.

 

Kujtim Gjevori, pronar i fabrikës “SCAMPA”, e cila merret me prodhimin e qeseve të plastikës, thotë se udhëzimi administrativ i cili do të vihet në zbatim, do të ndikojë negativisht për prodhuesit e qeseve të plastikës.

 

Por, ai thotë se janë pajtuar me këto ndryshime që do të vijnë. Megjithatë, ai shton se largimi nga përdorimi i qeseve të plastikës duhet të bëhet vetëm për qeset një përdorim, ndërkaq për të tjerat të vendoset çmim.

 

“Ne eksportojmë qese në Evropë dhe Evropa merr qese, por i ka më të trasha, për shembull 30 apo 50 mikrona, kurse vetëm qeset për një përdorim, shumë të holla, këto janë ndaluar në Evropë dhe këto të ndalohen edhe në Kosovë, kurse këto të trashat të bëhen me pagesë”, thotë Gjevori.

 

Ai thotë se për këto faza tranzitore, që po bëhen në këtë sektor, të gjithë prodhuesit do të duhej ta kishin ndihmën e shtetit.

 

“Në këtë udhëzim administrativ është e përfshirë edhe Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar [GIZ], ku po tentohet të ndahet një buxhet për teknologji të reja të prodhimit”, thotë ai.

 

Nga korriku i vitit 2021, Bashkimi Evropian ka fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim.

 

Produktet e plastikës për një përdorim përfshijnë: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis. Këto plastika, sipas vlerësimeve të BE, përbëjnë rreth 70 për qind të mbeturinave detare në Evropë.

 

Qëllimi përfundimtar i BE është që deri në vitin 2030, çdo plastikë e mbetur të jetë e ripërdorshme ose e riciklueshme. Kosova mbetet i vetmi vend në rajon në të cilin qeset e plastikës për një përdorim shërbehen falas për konsumatorët.

 

Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi janë disa nga vendet që për një qese plastike duhet të paguash. Ndërkaq, Shqipëria nga viti i kaluar ka ndalur përdorimin e qeseve të plastikës./Burimi: REL/Shqiptarja.com


Më të lexuarat