Secondary Adv

Nisma e BE: Me shume kthime te azilkerkuesve pa te drejte qendrimi

Prej vitesh Bashkimi Europian nuk po avancon me përpjekjet e veta për kthimin e azilkërkuesve pa të drejtë qendrimi.

 

Tani Komisioni i BE-së në Bruksel ka ndërmarrë një nismë duke paraqitur një projektstrategji të re. Kjo ka të bëjë me faktin, se numri i hyrjeve të parregullta në BE në vitin 2022 është rritur, deklaroi komisarja e BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johannsson gjatë prezantimit të këtij projekti.

 

Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve nuk kanë arsye për azil, megjithatë shumë prej tyre paraqesin kërkesë për azil. 920.000 kërkesa për azil janë paraqitur në vitin 2022 sipas Komisionit të BE-së.

 

Kjo është një rritje me gati 50 përqind kundrejt një viti më parë. "Kjo e vë nën presion të jashtëzakonshëm sistemin tonë të azilimit dhe kapacitetet e pranimit", tha Johansson.

 

Në vitin 2019, sipas të dhënave të Komisionit të BE, janë kthyer 29 përqind e atyre njerëzve, të cilët duhej të largoheshin nga shtetet e BE. Më 2021 kuota ishte 21 përqind. Autoriteti i BE në vitin 2018 kishte shpallur si objektiv kthimin e rreth 70 përqind personave pa të drejtë qendrimi.

 

Për të rritur numrin e të kthyerve, BE-ja do të arrijë që vendet anëtare të bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar. Për këtë komisioni ka krijuar një strukturë të vetën brenda Agjencisë për Mbrojtjen e Kufirit Frontex.

 

Kjo strukturë drejtohet nga koordinatorja për kthimin Mari Juritsch, e cila është në detyrë që nga maji 2022. "Kthimet janë përgjegjësi e përbashkët", tha Juritsch.

 

Kryesisht duhet të bëhen më shumë kthime në vendet e treta, në të cilat nuk ka pengesa të mëdha politike apo probleme me të drejtat themelore. Projektstrategjia përmban disa propozime.

 

Krahas forcimit të bashkëpunimit, që duhet të përshpejtojë rrjedhën e procedurave, është planifikuar, që emigrantët të mbështeten profesionalisht në rrugën e riintegrimit në vendin e origjinës.

 

Gjithashtu i tërë procesi do të digjitalizohet. Shumica e kërkesave për azil, sipas Johansson, janë paraqitur në Gjermani, Francë, Spanjë dhe Austri.

 

Në raport me numrin e popullsisë Qiproja, Austria dhe Greqia janë të mbingarkuara. Për bashkëpunimin me vendet e treta për kthimin do të diskutojnë të enjten edhe ministrat e Brendshëm të vendeve të BE gjatë takimit të tyre në Stokholm./Burimi:DW/Shqiptarja.com


Më të lexuarat