Secondary Adv

Rritet aktiviteti ekonomik i Eurozones, hera e pare qe nga qershori

Aktiviteti ekonomik në eurozonë është rritur për herë të parë që nga muaji qershor, sipas një sondazhi.

 

Indeksi i përbërë i menaxherëve të blerjeve S&P Global për eurozonën, një indikator i aktivitetit në sektorin e prodhimit dhe të shërbimeve, u rrit në 50.2 në janar, nga 49.3 që ishte muajin e kaluar, sipas shifrave të publikuara të martën.

 

Kjo shifër, e cila shënoi të tretën rritje mujore radhazi që nga niveli i ulët i arritur në tetor, ishte më e lartë se parashikimi prej 49.8 nga ekonomistët e anketuar nga Reuters.

 

Ajo ishte gjithashtu përtej nivelit 50, gjë që tregon se shumica e bizneseve raportojnë një zgjerim të aktivitetit të tyre krahasuar me muajin e kaluar.

 

“Qëndrueshmëria e ekonomisë së eurozonës në fillim të vitit forcon idenë se rajoni mund t’i shpëtojë recesionit,” tha Chris Williamson, kryeekonomist për bizneset në S&P Global Market Intelligence.

 

Frika lidhur me problemet e energjisë ishte zbutur që nga muaji tetor pas rënies së çmimeve, duke llogaritur këtu edhe ndihmat bujare të qeverive, shtoi ai.

 

Problemet në zinxhirët e furnizimeve janë reduktuar gjithashtu, ndërsa rihapja e ekonomisë kineze ka ndihmuar në rivendosjen e besimit për zgjerimin e perspektivës ekonomike globale për vitin 2023.

 

Rritja e indeksit të përbërë PMI për eurozonën shënon një kontrast me përkeqësimin e papritur të situatës në Mbretërinë e Bashkuar, ku indeksi përkatës sinjalizoi rënien më të madhe të aktivitetit ekonomik në dy vitet e fundit.

 

Qëndrueshmëria e ekonomisë së eurozonës, e shoqëruar me presionet e larta të çmimeve dhe aktivitetin e lartë në tregun e punës, përforcon sinjalet se BQE do të vazhdojë më tej me ciklin e saj shtrëngues të politikave monetare.

 

Christine Lagarde, presidentja e BQE, tha të hënën: “Normat e interesit të BQE-së do të duhet të rriten ndjeshëm, me një ritëm të qëndrueshëm, për të arritur ato nivele që do të ishin mjaftueshëm kufizuese për ekonominë.

 

Ato duhet të qëndrojnë në këto nivele për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Andrew Kenningham, kryeekonomist për Europën në Capital Economics, tha:

 

“Me synimet për të punësuar më shumë njerëz dhe nivelin e lartë të presioneve të çmimeve, nuk ka asgjë që do ta ndalonte BQE-në për të rritur normat me 100 pikë bazë gjatë dy muajve të ardhshëm, dhe ndoshta edhe në vazhdim.”

 

Burimi: FT/Monitor https://www.monitor.al/aktiviteti-ekonomik-i-eurozones-rritet-per-here-te-pare-qe-nga-qershori/


Më të lexuarat