
Projektligji per pensionet private, kerkohet heqja e tatimit ne perftim
Komisioni Kuvendor i Ekonomisë po shqyrton projektligjin e për “Fondet private të pensionit” dhe zhvilloi këtë javë një seancë dëgjimore me palët e interesit.
Përfaqësues të shoqërive administruese të fondeve u shprehën pozitivisht rreth frymës së projektligjit të ri, por, megjithatë kërkuan një trajtim më favorizues fiskal të pensioneve private.
Me ligjin aktualisht në fuqi, i gjithë pensioni privat tatohet në përfitim me shkallën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat e individëve, 15%.
Projektligji i ri sjell një hap përpara, duke përjashtuar nga tatimi pjesën e kontributit dhe parashikon tatim vetëm për pjesën e të ardhurave nga investimi i kontributeve.
Megjithatë, përfaqësuesit e sektorit kërkojnë heqjen e tatimit mbi të gjithë shumën e përfituar nga pesnioni privat, duke përfshirë edhe kontributet.
Naim Hasa, këshilltar në shoqërinë administruese Sigal Life Uniqa Group Austria, u shpreh se tatimi përfitimeve nga pensionet private e ka paralizuar tregun.
Sipas tij, në praktikën botërore pensionet nuk taksohen dhe legjislacioni shqiptar duhet të ndjekë të njëjtën frymë. Shoqëritë administruese mendojnë se heqja e plotë e tatimit në përfitim do t’i jepte një shtysë të rëndësishme skemave të pensioneve private në vend.
Gjithashtu, shoqëritë kërkuan kufizime më të forta në tërheqjen e parakohshme të kontributeve, duke qenë se skemat private kanë si qëllim të sigurojnë të ardhura në moshë pensioni dhe nuk duhen kuptuar si formë kursimi që mund të tërhiqet në çdo kohë.
Elvis Ponari, Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, tha se tregu i pensioneve private në Shqipëri ngelet shumë i vogël qoftë krahasuar me vendet fqinje të rajonit.
Sipas tij, tregu shqiptar ka sot afërsisht 50 milionë euro asete, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vlera e aseteve të fondeve private të pensionit ka arritur në 1.7 miliardë euro të grumbulluara në administrim.
Ai kërkoi që kuadri ligjor në Shqipëri të jetë më nxitës për zhvillimin e tregut të pensioneve private, çka do të lehtësonte gradualisht barrën mbi skemën shtetërore dhe do të rriste mirëqenien e qytetarëve në moshën e pensionit.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve në fondet e pensioneve private në fund të vitit 2022 arriti në 36 518, në rritje vjetore me 8.6%.
Ndërsa vlera e aseteve neto në fund të vitit 2022 arriti në 5.7 miliardë lekë, në rritje me 24.3% krahasuar me një vit më parë. Ligji i ri për fondet private të pensionit që pritet të miratohet në Kuvend do të rrisë incentivat fiskale për të kontribuar në këto fonde.
Aktualisht, kufiri maksimal kontributeve të përjashtuara nga tatimet është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 mijë lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas projektligjit të propozuar nga Qeveria, kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore do të jetë deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Konkretisht, sot përjashtimi nga tatimi do të shtrihej deri në një shumë kontributesh prej 40 mijë lekësh në muaj.
Nëse ky propozim miratohet nga Kuvendi, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 480 mijë lekë në vit ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/projektligji-per-pensionet-private-shoqerite-kerkojne-heqjen-e-plote-te-tatimit-ne-perftim/
Më të lexuarat









