Secondary Adv

Ndryshon ligji per Start Up, lehtesohen kushtet per nomadet dixhitale

Shqipëria ka shfaqur ambicien e saj për të tërhequr nomadët dixhitalë në një strategji të miratuar vitin e shkuar.

 

Ministria e e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes publikoi së fundmi për konsultim draftin e dakordësuar me disa palë lidhur me nxitjen e sipërmarrjeve inovative por edhe punonjësve të huaj lëvizës.

 

Konkretisht në draftin e hedhur online bien në sy disa pika ku së pari ngritja e një agjencie të dedikuar mbi start up-et e cila është Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve apo STARTUP Albania.

 

Kjo agjenci do të jetë e ngarkuar direkt me monitorimin dhe asistemin e sipërmarrjeve të kësaj natyre ndërkohë që forma e organizimit të saj dhe detyrat do të përcaktohen me një vendim të veçantë.

 

Relacioni që shoqëron draftin nënvizon se me përfshirjen e STARTUP ALBANIA si njësia menaxhuese dhe monitoruese e masave mbështetëse, roli i ministrit përgjegjës për sipërmarrjen është kufizuar në këtë drejtim.

 

“STARTUP ALBANIA si njësi menaxhuese dhe monitoruese mbart detyrimin për ndjekjen për ecurinë e zbatimit të masave mbështetëse dhe për rrjedhojë marrjen e masave për rastet e abuzimit.

 

Eventualiteti i abuzimit me masën mbështetëse nga subjekti përfitues, konsiderohet element që do të duhet të rregullohet në kontratën e lidhur ndërmjet STARTUP ALBANIA dhe subjektit përfitues” thuhet në dokument.

 

Punonjësit lëvizës dixhitalë

Shumë punonjës të cilët janë të angazhuar me detyra që nuk kërkojnë prezencën në zyrë mund të bëjnë si shtëpi të tyre cilindo nga vendet që shohin të arsyeshëm dhe ekonomik.

 

Destinacionet më të avantazhuar për të tërhequr këtë grup janë ato që kanë cilësi të mirë jetese dhe një kosto të ulët ndërkohë që potencialisht janë edhe vende me zhvillim turistik.

 

Kroacia, Greqia janë disa nga vendet që kanë ofruar paketa të dedikuara për nomadët dixhitalë. Shqipëria po synon gjithashtu që të tërheqë këtë kontingjent dhe ndryshimet në ligjin për start-up prekin edhe këtë pikë.

 

Së pari ka ndryshuar termi nga nomad dixhital në punonjës lëvizës dixhital. Së dyti synohet që ky grup të lehtësohen nga barra fiskale duke mos u njohur si rezident tatimor.

 

“Ky ligj përcakton rregullat bazë, procedurat dhe organet shtetërore që rregullojnë, mbështesin dhe zhvillojnë ekosistemin e startup-eve të Republikës së Shqipërisë si dhe format e mbështetjes së punonjësve lëvizës digjitalë.

 

Në vijim, amendimet e propozuara ofrojnë masa mbështetëse për incetivizimin e veprimtarisë së punonjësve lëvizës digjitalë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Dispozitat e parashikuara që adresojnë çështjet e mësipërme janë:

Pas Nenit 5, “Format e mbështetjes së startup-eve”, shtohet Neni 5/1 me titull “Format e mbështetjes së punonjësve lëvizës digjitalë”, me përmbajtje si më poshtë:

 

“1. Punonjësit lëvizës digjitalë nuk do të konsiderohen rezident tatimor në Republikën e Shqipërisë.

Punonjësit lëvizës digjitalë pajisen me leje unike bazuar në ligjin “Për të huajt” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij” Argumentohet në relacion.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ndryshon-ligji-per-start-up-agjenci-e-dedikuar-lehtesohen-kushtet-per-nomadet-dixhitale5/


Më të lexuarat