Greva ne Gjermani, anulohen fluturimet ne aeroportin e Berlinit
Aeroporti i Berlinit është mbyllur për shkak të grevës së stafit të sigurisë, e cila filloi në orën 3:30 dhe do të përfundojë në mesnatë.
Ndërkohë, janë anuluar të gjithë fluturimet. Sindikata Verdi po kërkon të rrisë presionin ndaj punëdhënësve, me të cilët po negocion bonuset për punën në ditët e festave dhe fundjavave, si dhe rregullat jashtë orarit.
“Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Federal të Kompanive të Sigurisë (BDLS) të paraqesë një ofertë të negocueshme në takimet tona më 28 dhe 29 prill dhe të mos përpiqet të fitojë kohë, në të kundërt do të vazhdojmë me grevat,” paralajmëroi përfaqësuesi i sindikatës Wolfgang Pieper.
Greva e sotme, e treta për aeroportin e Berlinit që nga fillimi i vitit, i shtohet listës tashmë të gjatë të protestave të punonjësve të transportit të vendit në muajt e fundit. Të premten e kaluar, një grevë tetë-orëshe në hekurudha shkaktoi vonesa të mëdha dhe bllokime të trafikut në rrugë./Burimi: abcnews.al