Raportet tregtare Kosove-Gjermani, 92 mln euro investime, rriten eksportet
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka treguar se Investimet Huaja Direkte për 6-muajshin e parë kanë kapur vlerën e 92 milionë eurove.
Në 7-mujorin e parë të këtij viti, eksporti i produkteve nga Kosova në Gjermani ka arritur vlerën 52 milionë euro, ndëra importi arrin vlerën e mallrave në 414 milionë euro.
Ndërkaq, sipas statistikave mes dy vendeve, Investimet e Huaja Direkte nga janari deri në qershor të këtij viti kapin vlerën 92 milionë euro.
Kështu është bërë e ditur nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare gjatë një takimi me një delegacion i lartë gjerman, të cilët janë informuar për ekonominë e Kosovës.
Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani ishte pjesë e pritjes së delegacionit të lartë gjerman, të organizuar nga Zyra e Fondacionit Politik gjerman Konrad Adenauer Stiftung (KAS).
“Ajo që u vu në pah, ishte se Kosova ka partner kryesor Gjermaninë në të bërit biznes që nga paslufta. Këtë e thonë statistikat mes dy vendeve, ku Investimet e Huaja Direkte nga janari deri në qershor të këtij viti kapin vlerën 92 milionë euro.
Në anën tjetër eksporti i produkteve kosovare në Gjermani në 7-mujorin e parë të këtij viti ka mbërritur 52 milionë euro, përballë importit nga Gjermania në Kosovë me 414 milionë euro”.
Me një përbërje prej udhëheqësish të organizatave, odave dhe zyrave ekonomike gjermane, interesimi i këtij delegacioni ishte i fokusuar në aspektin ekonomik.
Investimet e huaja direkte në Kosovë brenda këtij viti janë rritur për dhjetëra miliona euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Gjermania prin me nivelin më të lartë të investimeve.
Për nga sektori i investimeve të huaja direkte në Kosovë, të dhënat e rendisin të parën, sektorin e patundshmërive.
Pastaj renditen aktivitete e financave dhe të sigurimit dhe aktivitete e tjera me vlera më të ulëta.