
Turizmi gjalleron tregtine me pakice ne tremujorin e dyte
Numri i lartë i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit duket se i ka dhënë gjallëri tregtisë me pakicë në vend.
Ritmet e rritjes vjetore të tregtisë me pakicë në tremujorin e dytë të këtij viti ishin më të lartat në një vit, sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT.
Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i llogaritur bazuar në deflatimin e indeksit e shitjeve në vlerë, arriti 124,3 duke shënuar një rritje 5,8%, krahasuar me tremujorin e dytë 2022.
Ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 1,3%, krahasuar me tremujorin paraardhës, raportoi INSTAT. Kjo është rritja më e lartë vjetore që nga tremujori i dytë 2022.
Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e dytë 2023 është rritur me 5,1%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2022.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.
Volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 5,7%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 7,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.
Në ndryshimin vjetor prej +5,8%, në tremujorin e dytë 2023 ndaj tremujorit të dytë 2022, në tregtinë me pakicë, grupet kanë kontribuar si më poshtë: Grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” ka kontribuar me +2,4 pikë përqindje.
“Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +2,1 pikë përqindje dhe grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” me +1,3 pikë përqindje.
Ndryshimi tremujor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i përshtatur sezonalisht.
Në tremujorin dytë 2023, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 2,2%, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është rritur me 0,9% krahasuar me tremujorin paraardhës.
Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 1,7%, kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, është rritur me 3,2%, kundrejt tremujorit të parë 2023.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/turizmi-gjalleron-tregtine-me-pakice/
Më të lexuarat









