Secondary Adv

Kosova dhe Maqedonia e Veriut me pika te perbashketa kufitare

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë firmosur të hënën marrëveshjen për themelimin e pikave të përbashkëta kufitare.

 

Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nga sot kanë pikat e përbashkëta të kalimit kufitar. Kjo Marrëveshje e nënshkruar sot është hartuar mbi marrëdhëniet fqinjësore mes dy vendeve dhe ka për qëllim fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit rajonal.

 

Marrëveshja do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, “Han i Elezit – Bllacë” dhe “Glloboqicë-Jazhincë”.

 

Në pikën e përbashkët të kalimit kufitar “Han i Elezit – Bllacë”, kontrollet doganore dhe kufitare do të kryhen në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (PPKK Bllacë) ndërsa në pikën e përbashkët të kalimit kufitar “Glloboqicë – Jazhincë” kontrollet doganore dhe ato kufitare do të bëhen në territorin e Republikës së Kosovës (PPKK Glloboqicë).

 

“Qytetarët e dy shteteve tona përmes kësaj marrëveshje nuk do ti nënshtrohen më ndalesave të dyfishta por kontrollet do të bëhen vetëm në njërën pikë të kalimit.

 

Ky thjeshtim i procedurave do të krijojë lehtësira të lëvizjes së personave dhe automjeteve. Do të kursejë kohën e qytetarëve dhe do të shmangë pritjet në pikat kufitare”, tha Sveçla.

 

Kjo marrëveshje ka për qëllim thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve. Tani e tutje, qytetarët do të legjitimohen vetëm në njërën pikë kufitare./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kosova-dhe-maqedonia-e-veriut-me-pika-te-perbashketa-kufitare/


Më të lexuarat