SHBA pro Kosoves: Sulmi ne veri i koordinuar dhe i planifikuar mire
Departamenti amerikan i Shtetit thotë e dinë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte “i koordinuar dhe i planifikuar mirë”.
Zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel u pyet në një konferencë për media për arrestimin e Milan Radoiçiçit të martën dhe nëse ka për të thënë diçka rreth kësaj.
“Ne i kemi parë ato raporte, Shaun. Ne nuk do të shkojmë përpara hetimit. Dhe siç e kemi thënë, ne e dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë, dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai.
Milan Radoiçiç u arrestua dje në Serbi, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiç nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të bashkëpunojë për verifikimin e të gjitha fakteve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe aktivitetin terrorist të grupit të udhëhequr prej mikut të tij, i cili iku për t’u strehuar në Serbi.
Bashkimit Europian ka kërkuar që Beogradi të bashkëpunojë pa kushte në hetimet që do t’i bëjë Policia e Kosovës, ndërsa institucionet në Kosovë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë ekstradimin e Radoiçiçit dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në sulm.
Për terroristët që arritën të iknin dhe që Vuçiç tha se do të japin llogari në Serbi, u ofrua strehim dhe për tre prej tyre që u vranë, u shpall ditë zie kombëtare./Burimi: Balkanweb