Qytetaret e Kosoves per 3 muaj blene mbi 53 mln euro prona ne Rajon
Qytetarët e Kosovës brenda ter muajve të këtij viti kanë investuar mbi 53 milionë euro në patundshmëri.
Investimet këto që janë bërë në blerje të pronave në shtetet e rajonit. Mbi 53 milionë euro është vlera e investimeve në patundshmëri të qytetarëve të Kosovës në vendet e rajonit, kryesisht në Shqipëri, gjatë periudhës prill-qershor 2023.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), investimet e rezidentëve kosovar në vendet e rajonit kanë shënuar rritje për rreth 3 milionë euro, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Investimet e huaja direkte të rezidenteve nga Kosova në vendet tjera kanë shënuar rritje në periudhën prill-qershor 2023, duke arritur vlerën prej 53.1 milionë euro (50.7 milionë euro në prill-qershor 2022), investime të destinuara në vendet e rajonit e të orientuara kryesisht në sektorin e patundshmërisë”.
Derisa investimet e kosovarëve në sektorin e patundshmërisë në Shqipëri kanë shënuar rritje, investimet e diasporës në sektorin e patundshmërisë në Kosovë në të njëjtën periudhë kanë shënuar rënie.
“Rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret”. Sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind e përgjithshme të IHD-ve apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.
Sipas BQK-së, vlera e përgjithshme e IHD-ve në periudhën prill-qershor 2023 ka arritur në 184.4 milionë euro, apo për 12.5% më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Investimet e huaja direkte në TM2 2023 rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 184.4 milionë euro. Rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret.
Banka Qendrore ka treguar se investimet më të mëdha në patundshmëri behën nga remitencat e mërgimtarëve, të cilat kanë arritur në afro 400 milionë euro.
“Vlera e remitencave të pranuara në TM2 2023 ka arritur në 363.8 milionë euro, rritje prej 15.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”.
Struktura e remitencave sipas shteteve mbetet e pa ndryshuar. “Gjermania që ka një pjesëmarrje prej 37.4 për qind e remitencave të dërguara, Zvicra 18.0 për qind dhe SHBA-të 7.4 për qind.
Dërgesat e emigranteve sipas kanaleve formale (bankat dhe institucione tjerat) kanë shënuar rritje në vlerë prej 29.4 milionë euro, ndërsa është shënuar rritje prej 20.2 milionë euro e dërgesave në kanale jo formale”.
Duke konsideruar që pjesa me e madhe e remitancave të pranuara janë me origjinë nga vendet e eurozonës (rreth 60.0 për qind), ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në eurozonë mund të ketë implikime mbi këtë të hyrë për ekonominë e Kosovës.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/per-tre-muaj-qytetaret-e-kosoves-blene-mbi-53-milione-euro-patundshmeri-ne-rajon/