Secondary Adv

Taksapaguesit japin 810 mln euro per koncesionet, gati gjysma ne hetim nga SPAK

Për periudhën 2017-2024, buxheti i shteti ka paguar dhe pritet të paguajë me paratë e taksapaguesve rreth 810 milionë euro për 12 kontrata koncesionare.

 

Të ndara sipas sektorëve, pjesa më e madhe e kësaj shume, me rreth 31 miliardë lekë (290 milionë euro), ose 36% e totalit ka shkuar dhe pritet të shkojë për katër koncesionet e shëndetësisë (sterilizimi, check up, laboratori, dializa).

 

Rreth 28 miliardë lekë (206 milionë euro) është për projektet e infrastrukturës (Rruga e Arbrit, mirëmbajtja e Milot-Morinë, Orikum-Dukat, ndërtimi i shkollave në Tiranë).

 

Rreth 14 miliardë lekë (135 milionë euro), ose gati 17% e totalit janë të destinuara për inceneratorët e Fierit, Elbasanit e Tiranës.

 

Skanimi arrin për periudhën në fjalë 12.6 miliardë lekë (119 milionë euro), ose 14.6% e totalit. (shiko grafikun: Pagesat për koncesionet sipas sektorëve 2017-2024).

 

Sipas projekteve, më i madhi është ai i rrugës së Arbrit, me 19.3 miliardë lekë për periudhën 2017-2024. Projekti i dytë më i madh është sterilizimi, me rreth 13 miliardë lekë, i ndhekur nga skanimi me 12.6 miliardë lekë.

 

Më pas renditet Inceneratori Tiranës (7.9 miliardë lekë); Laboratorët (6.4 miliardë lekë); Dializa (6 miliardë lekë); check up (5.8 miliardë lekë); Mirëmbajtja Milot-Morinë (4.7 miliardë lekë);

 

Inceneratori Fier (4 miliardë lekë); Inceneratori Elbasanit (2.4 miliardë lekë); Orikum-Dukat (2.1 miliardë lekë); Infrastruktura arsimore (1.8 miliardë lekë). – shiko grafikun: Pagesat për koncesionet sipas projekteve.

 

Pavarësisht kundërshtimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat kërkonin që të bëhej një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve, edhe sot mungon një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve të këtyre projekteve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre janë tashmë nën hetim nga SPAP.

 

Gati gjysma e shumës së dhënë për koncesionet është nën hetim

Nga këto 12 koncesione, për pesë prej tyre- tre inceneratorët, checkup dhe sterilizimi- është hapur hetim zyrtar nga SPAK me akuza nga korrupsion, shpërdorim detyre e deri te pastrim parash, ndërsa ka nisur hetimi dhe për koncesionin e laboratorëve.

 

Shuma totale e dhënë dhe që pritet të jepet nga buxheti për këto gjashtë koncesione për periudhën 2017-2024 është rreth 40 miliardë lekë (rreth 380 milionë euro), që përbën 46% të pagesave totale që janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet!!

 

Në projektbuxhetin e vitit 2024 parashikohet që pagesat për koncesionet të arrijnë 14.3 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe me rritje prej 9.3% në krahasim me pritshmërinë e 2023-it (shiko grafikun: Pagesa nga buxheti për koncesionet në vite). 

 

Pagesat dhe hetimet

Në 2021-2022 u hapën hetimet për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.

 

Sipas SPAK, nga hetimi janë gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesionet e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënien e pagesave për punime që nuk janë kryer.

 

Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.

 

Inceneratori i Elbasanit mori për periudhën 2015-2021, aq sa ishte dhe afati i koncesionit, rreth 2.4 miliardë lekë. Inceneratori i Fierit mori për periudhën 2015-2022 rreth 4 miliardë lekë.

 

Në fillim të gushtit të këtij viti, SPAK nisi hetimin për inceneratorin e Tiranës.

 

SPAK njoftoi se, po heton për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.

 

Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesa nga buxheti 5.5 miliardë lekë për 2019-2022, ndërsa në total ka arkëtuar, sipas bilancit rreth 9.9 miliardë lekë për shkak se merr dhe pagesa nga bashkitë dhe për shërbimin e heqjes së dherave.

 

Për 2023-2024 buxheti parashikon të paguajë edhe 2.3 miliardë lekë të tjera. Ministria e Financave pohon se ndonëse koncesioni është në sekustro nga SPAK, pa një vendim gjykate financat nuk mund të ndërpresin pagesat, pasi rrezikon që koncesionari ta çojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

 

Në maj 2022 SPAK nisi hetimin për koncesionin e check up. Ky koncesion ka marrë pagesa nga buxheti prej 4 miliardë lekësh në periudhën 2015-2022. Në 2023-2024 parashikohet të marrë edhe 1.75 miliardë lekë të tjera.

 

Në gusht të këtij viti, SPAK lëshoi 8 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë për abuzime me koncesionin e sterilizimit. Ky koncesion ka marrë pagesa prej 9.4 miliardë lekësh për periudhën 2015-2022.

 

Koncesioni pritet të marrë edhe 3.5 miliardë lekë pagesa të tjera për 2023-2024.

 

Në gusht 2022, SPAK nisi hetimin për kontratën e partneritetit publik privat për shërbimin e laboratorëve mjekësorë, pas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit se Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë atë në kundërshtim me ligjin.

 

Për periudhën 2020-2022, koncesioni ka marrë 2.7 miliardë lekë dhe pritet të arkëtojë edhe 3.6 miliardë lekë për 2023-2024./Burimi: https://www.monitor.al/tabela-e-koncesioneve-taksapaguesit-japin-810-milione-euro-gati-gjysma-e-kesaj-shume-ne-hetim-nga-spak/


Më të lexuarat