Secondary Adv

20 milione euro per autostraden Tirane- Durres, kalimi pa pagese

Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës do të nisin në 2024 për 5 km e para, ndërsa aksi, ndryshe nga projektet e mëparshme, nuk do të jetë me pagesë.

 

Drejtori i ARRSH, Evis Berberi, tha për emisionin INSIDER në televizionin SCAN, se ky projekt do të afrohet në kohë, për shkak të emergjencës nga tejkalimi i trafikut.

 

Sipas tij, rruga është e projektuar për maksimumi 30 mijë mjete në 24 orë, por në kulmin e sezonit turistik ka arritur në 93 mijë mjete në ditë.

 

“Faza e parë nis nga mbikalimi i kthesës së Kamzës dhe përfundon tek mbikalimi i Rinasit. Do të jetë një rrugë me 4 korsi, e kategorisë A. Këtu do të lidhet me trafikun e veriut.

 

Pastaj në fazën e dytë do të lidhemi me nyjen e madhe që po bëhet tek City Parku dhe pastaj gradualisht do të shkojmë në drejtim të Durrësit në faza të tjera, për t’i paraprirë zhvillimit që do të ndodhë në këtë zonë,

 

si Porti i Ri i Mallrave në Porto Romano, Marina e Durrësit, por edhe Gjiri i Lalzit, që do marrin gjithmonë e më shumë zhvillim dhe rrjedhimisht qarkullim automjetesh”, tha Berberi për SCAN.

 

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar deklaroi se ky aks jetik do të jetë gjithmonë falas për përdoruesit e mjeteve, ndërsa zbuloi edhe kostot paraprake për këtë projekt zgjerimi.

 

“Faza e parë kushton 20 milionë euro për 5 kilometrat. Në segmentin e parë dhe të dytë, deri në drejtim të Vorës. Nuk do të kemi problematikë me shpronësimet, pasi do të shtrihemi deri në vijën e kanalit”, u shpreh Berberi.

 

Paralelisht, vitin tjetër do të nisë ndërhyrja edhe në sistemin e aksit Kombinat-Plepa, njohur si rruga e Ndroqit. Rruga do të zgjerohet në 10 metra, ndërsa do të sistemohen edhe kthesat./Burimi: Scan


Më të lexuarat