Naftetaret e Kosoves dalin kunder shtetit per tavanin e vendosur
Marzhi tregtar maksimal i lejuar i shitjes me shumicë është dy centë për një litër dhe marzhi tregtar maksimal i lejuar i shitjes me pakicë është dymbëdhjetë centë për një litër.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që naftëtarët të mos fitojnë aq sa duan nga shitja e “arit të zi”.
Ministria e Tregtisë ka përcaktuar marzhën e fitimit si për importin, ashtu edhe për pikat e shitjes me pakicë.
Marzhi i caktuar me vendim të ministrisë për shitjen e derivateve të naftës me shumicë përllogaritet 2 cent, ndërsa për shitjen me pakicë 12 cent.
Sipas ministrisë, ky vendim ka për qëllim parandalimin e çrregullimit në treg me çmimet e naftës, sidomos gjatë muajit të festave të fundvitit, kur bashkatdhetarët tanë vijnë në ATDHE, e gjithashtu me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës, si edhe për të mënjanuar çrregullimet e tjera në treg.
“Nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës nëpërmjet Inspektoratit Qendror të Tregut/ MINT, me evidencë ditore për çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës/ MFPT,
lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës, është evidentuar mospërshtatje e çmimeve vendore, krahasuar me lëvizjet e mëdha me ulje të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse në këtë vendim”.
Me këtë vendim: – marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) cent për një litër dhe – marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) cent për një litër.
“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A nr. 03/2022 për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme dhe masat e tjera mbrojtëse.
Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Por ky vendim për naftëtarët është i gabuar, jo i drejtë.
Fadil Berjani kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, ka thënë se vendimi i fundit i ministrisë ka vendosur marzhën e fitimit 0.02 euro për importet e derivateve të naftës ndërsa 0.12 euro për pikat e shitjes me pakicë.
Sipas tij marzha e fitimit që ideale do të duhej të vendosej nga ministria do të ishte 14 cent për një litër.
“Çdo vendim i Qeverisë duhet të respektohet. Mirëpo është vendim i gabuar, Kosova është treg i hapur dhe i lirë dhe duhet të ketë tregti të lirë. Këtu është një gabim kur po thuhet se ka abuzime me çmimet.
Ku janë ato abuzime me çmimet? Në qoftë se ka abuzime me çmimet, atëherë le të dalë Qeveria, më saktë ministria e t’i nxjerr me emër se cilat kompani abuzojnë. Ky vendim është miratuar në kohën kur diaspora vjen edhe ka kompani që i vendosin çmimet e larta.
Po qytetari ka mundësi të zgjedhë ku të dëshirojë”
Ai ka treguar se sa është duke u shitur aktualisht nafta dhe benzina në Kosovë.
“Jemi shteti më i vogël në botë me më së shumti pika të karburanteve. Nuk ka koment. Tregu është i lirë garë e madhe midis kompanive dhe çmimin e ke të ulët. 1.25 euro është një litër naftë, ndërsa po shitet 1.35 euro.
Këto janë çmimet mesatare. 00.02 euro ata që importojnë kanë të drejtë fitimi, ndërsa pikat me pakicë 0.12 cent. Shumë kompani thonë se me këtë vendim nuk do të mund të mbijetojnë”.
Qeveria e Kosovës edhe në muajin mars të vitit të kaluar kishte vendosur tavan të çmimeve për shitjet me pakicë dhe shumicë të derivateve të naftës.
Atë kohë, në Kosovë një litër naftë ishte shitur për 1.68 euro, ndërkaq çmimi i benzinës ishte 1.67 euro dhe çmimi i naftës së papërpunuar Brent kishte arritur nën 130 dollarë për fuçi.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/12-cent-fitim-naftetaret-e-kosoves-dalin-kunder-shtetit-per-tavanin-e-vendosur/)