Kosova e mbushur me pika karburantesh, naftetaret kerkojne nga Qeveria te marr masa
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës që të vendos distancë në mes të pikave të karburantit nëpër Kosovë.
Me standarde të BE-së distanca në mes të pikave të karburantit në rrugë lokale-komunale është 5 deri në 10 km, rrugë magjistrale prej 10 deri në 15 km si dhe në autostradë prej 20 deri në 25 km.
Tregu i derivateve në Kosovë, vazhdon të rritet në vazhdimësi, ngase është tregues si biznes tejet fitimprurës për një numër të caktuar njerëzish. Aktualisht në Kosovë funksionojnë më shumë se 900 pompa të benzinës e naftës.
E për numrin e madh të tyre, kanë reaguar vet ata që i kanë ndërtuar e bëjnë biznes me to. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës përmes një shkrese i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të miratojë një vendim përmes së cilit të ketë kritere për ndërtimin e pikave të reja të karburantit.
Shoqata e Naftëtarëve i është drejtuar me një letër kryeministrit, Albin Kurti dhe Ministres së Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.
Ata i kanë kërkuar Qeverisë, të miratojë një vendim përmes së cilit të ketë kritere për ndërtimin e pikave të reja të karburantit. Po kërkojnë që kriteret të vendosen sipas standardeve të BE-së dhe të ketë distancë në mes pikave të karburantit.
Berjani thekson se kërkesa e tyre është në të mirë të vendit dhe të bizneseve, por që deri më tani ka shkuar në “vesh të shurdhër”.
“Sa i përket problemeve me te cilat ballafaqohet shoqata e naftarëve, neve po e paraqesim një kërkesë e cila është edhe në të mire të biznesit por edhe në te mirë të vendit, andaj ju njoftojmë se kemi kërkuar që të ketë kritere për ndërtimin e pikave të karburantit sipas standardeve të BE-së dhe kategorikisht kemi qenë kundër ndërtimit të pikave të reja të karburantit, por kërkesa jonë ka hasur në vesh të shurdhet deri më tani”.
Tutje thuhet se pikat e derivateve duhet të jenë në përputhje me rregulloret që i parashikuar BE.
“Një prej standardeve të BE-së është distanca në mes të pikave të karburantit në rrugë lokale-komunale prej 5 deri në 10 km, rrugë magjistrale prej 10 deri në 15 km si dhe në autostradë prej 20 deri në 25 km.
Andaj ne kërkojmë nga ju që të merrin masa sa ma shpejtë që është e mundur lidhur me këtë çështje shumë të ndijshme pasi që jemi shteti më i vogël në botë, kurse në anën tjetër kemi më se shumti pika karburanti në botë.
Prandaj e vlerësojmë shumë angazhimi e juaj që të vendosni kritere në ketë aspekt dhe që këto kritere të bëhen me Vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe te respektohen në tërësi nga të gjitha bizneset që merren me këtë veprimtari”, thuhet mes tjerash në letër.
Fadil Bejrani ka treguar se letra i është dërguar Kurtit gjatë ditës së mërkurë dhe presin që ai të merr masa sa më shpejt. “Ligji i naftës nuk kaloi mbi një dekadë, shpresojë që kryeministri Kurti do t’i ndalë edhe ndërtimet e pikave të karburantit dhe të ketë kritere”, shtoi Berjani.
Republika e Kosovës është shteti më i dalluar në botë sa i përket tregut në sektorin e derivateve të naftës. Sipas hulumtimeve të deritanishme, në Kosovë operojnë afro 900 pompa të derivateve.
Vetëm në Mitrovicën e Veriut aktualisht operojnë 50 pika, 10 prej tyre janë me licencë valide ndërsa rreth 40 pika tjera operojnë ilegalisht.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/kosova-e-mbushur-me-pika-karburantesh-naftetaret-kerkojne-nga-qeveria-te-marr-masa/)