Reforma: Brenda 2025, ngrihet Zyra per Rikuperimin e Pasurive te konfiskuara nga shteti
Brenda vitit të ardhshëm pritet të krijohet Zyra për Rikuperimin e Pasurive, e cila do të merret me gjurmimin e pasurive nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Në Agjendën Kombëtare të Reformave 2021-2027, parashikohet që kjo zyrë të veprojë si Njësi Kombëtare Koordinuese dhe pikë kontakti rajonale ose ndërkombëtare, duke kontribuar në përmirësimin e konfiskimeve.
Njëkohësisht, menjëherë pas krijimit të kësaj zyre, Shqipëria do të paraqesë një aplikim për t’u bërë pjesë e Rrjetit Evropian të Zyrave të Rikuperimit të Pasurive ose në platformat rajonale dhe ndërkombëtare të rikuperimit.
Por çfarë ndodh me pasuritë e konfiskuara nga shteti?
Pasuritë e konfiskuara prej grupeve kriminale mund të shiten dhe vlera e tyre të kalojë në buxhetin e shtetit.
Gjithashtu, ato mund të kalojnë në pronësi të institucioneve qendrore dhe vendore, të kalojnë në interes të viktimave të krimit ose të ripërdoren në dobi të shoqërisë.
Ripërdorimi i drejtpërdrejtë social i pasurive nën autoritetet kompetente i vendos asetet e konfiskuara në shërbim të publikut, si për shembull, duke e shndërruar një shtëpi që ka qenë pronë e një krimineli, në një kopësht për fëmijë, banesa sociale, shtëpi për të moshuarit e të tjera.
Reforma synon që deri në fund të vitit 2026, rreth 50% e numrit dhe vlerës së pasurive të konfiskuara të ripërdoren brenda 6 muajve nga konfiskimi, duke përfshirë këtu edhe ripërdorimin social të tyre./Burimi: SCAN