Secondary Adv

Bashkia e Tiranes nis ndertimin e korsive te dedikuara per autobuset ne Njesine 7

Bashkia e Tiranës e ka nisur nga Njësia 7 projektin për korsitë e dedikuara për autobusët.

 

Bashkia e Tiranës e ka nisur nga Njësia 7 projektin për korsitë e dedikuara për autobusët, duke u përqendruar fillimisht në segmentet: “Rrethrrotullimi Zogu i Zi – 21 Dhjetori”, “21 Dhjetori – Vasil Shanto”, “Vasil Shanto” – kryqëzimi i Brrylit dhe “rruga e Kavajës – kryqëzimi 21 Dhjetori”.

 

Projekti i realizuar me ndihmën e GIZ dhe KfW gjermane, synon krijimin e infrastrukturës për shtrirjen e korsive të dedikuara për shërbimin e transportit qytetës në disa rrugë kryesore të Tiranës, optimizimin e stacioneve të autobusëve dhe informatizimin e tyre.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi gjatë mbrëmjes nisjen e punës, duke e vënë theksin te rëndësia e projektit, i cili ndihmon në qarkullimin më të mirë të autobusëve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

 

“Po e fillojmë nga Njësia 7, në segmentit nga ‘Zogu i Zi’ në drejtim të ’21 Dhjetorit’ dhe ‘Vasil Shantos’, ku do të kemi edhe korsi për biçikletat dhe monopatinat. E gjetëm Tiranën me 1% të qytetarëve që përdornin biçikleta, kurse sot jemi në 10%.

 

Sa më shumë inkurajojmë këto korsi, aq më shumë ngarkesë heqim nga rruga. Çdo njeri që zgjedh një mënyrë alternative – në këmbë, me biçikletë apo monopatinë – praktikisht, i ka ikur trafikut dhe ka ndihmuar edhe ata që lëvizin me autobus, edhe shoferët”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku shtoi se prioritet i kësaj ndërhyrje janë korsitë e dedikuara të autobusëve, ku do të aplikohet e njëjta eksperiencë e suksesshme, si në Rrugën e Durrësit apo Rr. “Dritan Hoxha”.

 

Projekti i korsive të dedikuara dhe i rinovimit të shërbimit të autobusëve quhet “Urbani” dhe parashikon vendosjen e stacioneve në Google Maps, pajisjen e tyre me tabela informuese, numrin e itinerarit, etj.

 

“Ne kemi parë disa eksperimente shumë të suksesshme te ‘Rruga e Durrësit’, te Rr. ’Dritan Hoxha’, ku korsia e autobusëve është ekspres dhe komode.

 

Autobusi ngadalësohet kur futet në trafik me makinat e tjera, prandaj projektin pilot që kemi zbatuar te ‘Dritan Hoxha’ dhe ‘Rruga e Durrësit’, ta vazhdojmë edhe përgjatë ‘Unazës’.

 

Në këtë fazë të parë do të kemi disa ndërhyrje. është pjesë e një studimi që kemi bërë me qeverinë gjermane, GIZ-in dhe KfW, por përpara se të blejmë autobusët e rinj, do duhet të ndërtojmë infrastrukturën”, tha Veliaj.

 

Kreu i Bashkisë u ndal edhe te zgjidhja e problemit te vendi i njohur si nyja e “Kastriotëve”. Veliaj u shpreh se aty do të ndërhyhet duke krijuar një rrethrrotullim, si nyje lidhëse e rëndësishme për qytetarët e Kodër-Kamzës, për të lehtësuar ndjeshëm lëvizjen në këtë zonë.

 

“Një nga ndërhyrjet kryesore ka të bëjë me nyjen e ‘Kastriotëve’. Aty do të punojmë për një rrethrrotullim të madh, që do të jetë një shpëtim për të gjithë ata qytetarë që shkojnë e vijnë nga Tirana.

 

Lidhet një lagje shumë e rëndësishme e Tiranës, që është pjesa e Njësisë 11 përtej lumit, si Kodër-Kamza, dhe sigurisht është lehtësim për të gjithë qytetarët fantastikë të Kamzës, një krah pune i jashtëzakonshëm që vjen çdo ditë në Tiranë, por edhe për studentët e mrekullueshëm të Kamzës, që vijnë për të studiuar në Universitet e Tiranës”, tha ai.

 

Veliaj u shprehur mirënjohjen qytetarëve për durimin, gjatë punimeve në zonë. “Mirënjohje qytetarëve që na kanë mirëkuptuar, që kanë zhvendosur makinat teksa ne punojmë.

 

Mbarojmë 3-4 ditë këtu, zhvendosemi në një stacion tjetër, që pastaj shtatori të na gjejë me një Tiranë të sistemuar, me korsi biçikletash për të gjithë Unazën, korsi të dedikuar autobusësh dhe një hartë moderne të ‘Urbanit’”, përfundoi ai.

 

Prioritet i këtij projekti infrastrukturor në Njësinë 7 janë korsitë e dedikuara të autobusëve, si edhe tabelat informuese, që do të vendosen në çdo pikë stacion autobusi.

 

Tabelat do kenë një rëndësi të veçantë, pasi do të kenë një informacion më të detajuar për vendndodhjen dhe kodin unik të zonës, itinerarin dhe numrin e itinerareve, si edhe një diagramë horizontale, ku do të shpjegohen edhe gjithë ndalesat, por edhe shpeshtësia e autobusëve, jo vetëm në ditët e javës, por edhe në ditë festash kombëtare dhe në ditë pushimi./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat