Prej 2 vitesh presin ne bregun e Vlores, gati te ndizen TEC-et lundruese
Pas 2 vitesh nga mbërritja e TEC-eve lundruese në Vlorë, Korporata Elektronergjetike bëhet gati që t’i ndezë për herë të parë dhe të nisë prodhimi i tyre.
KESH ka hapur tender për furnizimin me lëndë djegëse të termocentraleve lundruese në Vlorë. Në garën e shpallur kërkohet të blihen 21 mijë tonë lëndë djegëse të llojit HFO, me përmbajtje të squfurit jo më të madhe se 0.5%, ndërsa fondi limit i vënë në dispozicion është 11.500 euro.
Sipas detajeve të garës së shpallur, lënda djegëse e kërkuar, do të përdoret për të vënë në punë gjeneratorët termik, të cilët tashmë janë gati për prodhim. Po ashtu sqarohet se TEC-et janë të varura nga konsumi, prodhimi i HEC-eve dhe çmimet e energjisë në bursë, dhe ato vihen në punë në periudha sezonale.
“Regjimet e prodhimit të parashikuara janë të tilla që të përshtaten me sezonalitetin e prodhimit hidrik por edhe sezonalitetin e çmimeve të energjisë në Evropë.
Referuar kapacitetit depozitues në PIA, nevojave për gjenerim energjie elektrike, si dhe në përputhje me kushtet e tregut, sasitë e lëndës djegëse të nevojshme për përdorim, janë të ndryshme në periudha të ndryshme të vitit”, thuhet në dokumentet e tenderit të hapur nga KESH.
Vetëm si rezultat i prodhimit të pamjaftueshëm për të furnizuar qytetarët me energji në kushtet kur mungojnë reshjet e shiut, KESH ka blerë nga muaji qershor kur nisi importet e para deri më tani 38 milionë euro energji elektrike.
Për të prodhuar një megavat energji, TEC-et lundruese konsumojnë 229 Kg lënde djegëse dhe në rastin e shfrytëzimit me kapacitet të plotë të impiantit, nevoja për furnizim është rreth 500 ton lëndë djegëse në ditë.
Kostoja për një megavat të prodhuar nga këto TEC-e përllogaritet mesatarisht 150-170 euro, por që mund të ndryshojë në varësi të çmimit të lëndës djegëse. Ndërsa çmimi i energjisë në bursë luhatet deri në 130 euro/megavati.
Dy platformat lundruese nëse vihen në punë do të prodhojnë 110 megavat orë energji elektrike, dhe të mbulohen 15% e nevojave të konsumit vendas.
TEC-et lundruese kanë mbërritur në triport në Vlorë në shtator të vitit 2022, pas një marrëveshje 2-vjeçare me kompanitë Exelerate Energy dhe Renco që u nënshkrua me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qiraja ditore për këto anije është 63 mijë dollarë./Burimi: Shqiptarja.com