Secondary Adv

Fiksim i cmimeve, Autoriteti i Konkurrences ne Kosove nis hetimet per 4 kompani

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet kundër Art Motion, Kujtesës, Telkosit, dhe ISP Broadcast, pasi dyshohen se janë marrë vesh për fiksim të çmimeve.

 

Mbi dyshimet e bazuara për fiksim të çmimeve përmes marrëveshjeve të ndaluara/skemave kartel, ndarje të tregut sipas zonave gjeografike dhe shtrembërim të konkurrencës së lirë në treg,

 

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar këto ditë hetime të thella ndaj katër operatorëve ekonomikë në sektorin e telekomunikacioneve, duke publikuar me këtë rast edhe konkluzionin për fillimin e hetimeve.

 

Konkluzioni për hetim të thelluar përfshin kompanitë: Artmotion sh.p.k; Kujtesa Net sh.p.k; Telkos l.l.c; dhe ISP Broadcast sh.p.k.

 

Gjatë shqyrtimit paraprak të këtij rasti, sipas AKRK-së, janë grumbulluar dëshmi të konsiderueshme që tregojnë se këto kompani kanë krijuar një sistem për të fiksuar çmimet, për të ndarë tregun dhe për të kufizuar opsionet e disponueshme për konsumatorët.

 

Këto veprime, sipas AKRK-së, jo vetëm që rrisin çmimet për konsumatorët, por gjithashtu krijojnë edhe një mjedis të padrejtë për bizneset e tjera që operojnë në të njëjtin sektor, duke zvogëluar konkurrencën dhe duke shtrembëruar tregun.

 

“Ky hetim synon të sigurojë se çdo veprim i tillë që dëmton konkurrencën do të trajtohet sipas ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në njoftimin e AKRK-së.

 

Në konkluzionin e publikuar thuhet se këto kompani në bazë të sjelljes në tregun përkatës, dyshohet se kanë bashkërenduar aktivitetet e tyre, kanë penguar dhe kufizuar konkurrencën e lirë, duke fiksuar edhe çmimet edhe burimet e furnizimit.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fiksim-i-cmimeve-autoriteti-i-konkurrences-ne-kosove-nis-hetimet-per-artmotion-kujtesa-telkos-dhe-isp-broadcast/


Më të lexuarat