Aksion ne veri, autoritetet e Kosoves mbyllin pese komuna paralele serbe
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë komuna paralele serbe në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja.
Ambasada e SHBA në Prishtinë thotë se ky veprim i qeverisë Kurti është i pakoordinuar me partnerët dhe çon në një përkeqësim të marrëdhënieve mes SHBA dhe Kosovës.
Autoritetet në Kosovë mbyllën të premten komunat paralele serbe në veri të vendit, në një veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja, në një kohë kur qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore për “hapa të njëanshëm” në zonë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se me këtë rast janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviqit.
“Këto pesë sot i bashkohen shtatë komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash. Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Policia e Kosovës, tha se operacioni në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.
Më herët gjatë këtij viti, autoritetet mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit.
“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë.
Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Krasniqi.
Reagon SHBA: Veprim i pakoordinuar me ne
Sakaq, lidhur me këtë aksion ka reaguar ambasada e SHBA në Prishtinë duke u shprehur se është një veprim i pakoordinuar i qeverisë Kurti, e cila rrezikon përshkallëzimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Gjithashtu thuhet në reagim se përkeqëson dhe marrëdhëniet e Kosovës me SHBA.
"Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t'iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it,
përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar", thuhet ndër të tjera. në reagimin e ambasadës.
Beogradi dënon aksionin e autoriteteve kosovare
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka kërkuar "reagim urgjent" dhe "më të ashpër" nga bashkësia ndërkombëtare. Vuçeviç tha se Serbia ka dërguar një mesazh të qartë se "avokon fuqishëm për paqen dhe stabilitetin" në rajon, por se “nuk do të lejojë dhunë dhe masakër kundër popullit të saj”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Serbisë.
Më vonë të premten, Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - mbajti konferencë për media në veri. Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se "sot u pa qartë se Kurti nuk i do serbët në Kosovë. Kjo është një përpjekje tjetër për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova, e para së gjithash nga veriu".
"Me këtë veprim sot, Kurti tregoi se nuk i do institucionet e Republikës së Serbisë, nuk e do Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as serbët në Kosovë, e sidomos në veri", shtoi ai.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se mbyllja e institucioneve serbe në veri të Kosovës do të ketë “pasoja të gjera në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
“Albin Kurti ka filluar t'i mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviç.
Ai shtoi se institucionet e mbyllura u kanë ofruar serbëve në Kosovë “një minimum shërbimesh publike dhe ekzistenciale si, beneficione sociale përmes pagave dhe pensioneve”.
Kosova: Komunat paralele institucione ilegale
Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme. Mbyllja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.
Operacioni u zhvillua në një kohë kur qeveria e Kosovës po përballet me kritika nga diplomacia perëndimore për veprime "të njëanshme dhe të pabashkërenduara”.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i mbyllur institucionet paralele serbe.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga serbët./Burimi: Shqiptarja.com