Secondary Adv

Projekti 55 mln USD per urat, punimet ne terren nisin brenda 6-8 muajve te ardhshem

Projekti "Ndërtimi i urave të qëndrueshme" që u bë efektiv në dhjetor të vitit të kaluar me një kredi 55 milionë dollarë, pritet që në 6-8 muajt e ardhshëm të nisë punimet konkrete në terren.

 

Një vlerësim i fundit i ecurisë së projektit i bërë nga ekipi i BB nënvizon se implementimi i përgjithshëm i projektit është "i kënaqshëm në mënyrë të moderuar" duke zbritur nga vlerësimi i mëparshëm kur regjistronte "i kënaqshëm".

 

Sipas bankës në fillim të tij projekti kaloi disa sfida por që duket se tashmë ka hyrë në rrugën e duhur.

 

Projekti i Shqipërisë "Ndërtimi i Urave të Qëndrueshme” është në fazat e hershme të zbatimit, pas shpalljes efektiv në 1 dhjetor 2023.

 

"Projekti ka kapërcyer disa nga sfidat fillestare të zbatimit dhe është në rrugën e duhur për të filluar punimet fizike për urën e Viroit dhe Beshirit brenda 6-8 muajve të ardhshëm" thuhet në raport.

 

Deri më tani sipas të dhënave të raportit është disbursuar një fond prej 1.97 milionë dollarësh apo 3.59 për qind e totalit të fondit që është 55 milionë USD që është dhënë nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

 

Përveç kredisë nga banka projekti për urat parashikon edhe fonde buxhetore dhe ndërhyrjen në një listë më të gjerë urash të ndara në dy grupe.

 

Më herët gjatë këtij viti Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi procedurën për Urën e Viroit një urë që ndodhet në rrugën që lidh Gjirokastrën me Tepelenën.

 

Projekti i zbatimit parashikon që e gjithë gjurma të kalojë paralel me rrugën ekzistuese, në anë lindore të saj (nga ana e lumit Drino), duke lenë në funksionim urën ekzistuese si shëtitore panoramike.

 

Projekti parashikon edhe kalimin nga një rrugë e kategorisë C në C2 me gjerësi të korsive 2x 3.5 metra. Nga ana tjetër kërkohet që objekti i ri të garantojë mos përmbytjen nga vërshimet e ujërave me siguri të përshtatshme për këtë kategori rruge.

 

Projekti për urat nisi të negociohej pak vite më parë me Bankën Botërore duke pasur parasysh nevojat dhe emergjencën për ndërhyrje në disa vepra të kësaj natyre në gjithë vendin.

 

Dokumenti i projektit i asaj kohe specifikonte se ishin 80 ura me përparësi (me një fluks trafikut prej 100 deri në 2500 mjete në ditë) dhe kanale nën rrugë do të kërkojnë ndërhyrje brenda shtatë viteve të ardhshme.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/projekti-55-mln-usd-per-urat-bb-punimet-ne-terren-brenda-6-8-muajve-te-ardhshem/)


Më të lexuarat