Alarm per arsimin, po emigrojne familjet me femije te vegjel
Numri i fëmijëve në shkolla do të reduktohet me shpejtësi sipas të dhënave të zbuluara në censin e vitit 2023.
Përveç rënies së lindjeve, numri i fëmijëve në parashkollor po pakësohet ndjeshëm nga fenomeni i emigracionit me familje. Sipas të dhënave nga cens 2023, numri i fëmijëve në moshën 6 vjeç ishte 24,812.
Duke marrë në konsideratë numrin e fëmijëve të lindur në vitin 2017 që janë 6-vjeçarët e vitit 2023, shihet se ka një tkurrje të ndjeshme.
Numri i fëmijëve që lindën në vitin 2017 ishte rreth 31 mijë, por fëmijët që i korrespondonin këtij viti ishin vetëm 24,812 kur u zhvillua censi.
Sipas të dhënave nga cens, këtë vit hyjnë në klasën e parë jo më shumë se 24 mijë fëmijë në të gjithë vendin. Gjithsej fëmijët e grupmoshës 0-6 vjeç janë 160,719 sipas cens 2023, nga më shumë se 260 mijë që ishin në vitin 2011.
Duke krahasuar numrin e foshnjave të lindura nga viti 2017 deri në vitin 2023, dhe atyre që ka gjetur cens, rezulton një numër më i ulët fëmijësh. Diferencat janë deri në 20% që është një tregues i pastër i emigrimit të fëmijëve me familjet.
INSTAT ka raportuar se në vitin 2022 në të gjithë vendin kishin lindur 24,688 foshnja, por nga numërimi i Cens ishin vetëm 21 mijë foshnja të moshës 1 vjeç.
Në dy vitet e fundit ka një zbutje emigrimit si azilkërkues, por ka një fenomen në rritje të punonjësve me kontrata të rregullta pune drejt vendeve të BE sidomos drejt Gjermanisë. Fillimisht si punonjës sezonalë, tani ky kontingjent ka siguruar kontrata dhe po merr edhe familjet e fëmijët.
Gjithashtu të dhënat e Cens 2023 kanë zbuluar se numri individëve +6 vjeç që ndjekin arsimin parauniversitar ishte 317,213 nxënës, teksa në të njëjtin vit shkollor (2023-2024) INSTAT, referuar Ministrisë së Arsimit, raportoi se arsimin parauniversitar +6 vjeç e ndiqnin 349,827 nxënës.
Numri i nxënësve që ndjekin arsimin nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme ishte rreth 27 mijë nxënës më pak ose 9.3% më i ulët se sa shifra zyrtare që është referuar në fillimin e vitit akademik.
Të dhënat e Cens 2023 kanë treguar rënie drastike të numrit të nxënësve në shkolla. P.sh., INSTAT referoi se në vitin akademik 2023-2024 e ndiqnin arsimin 9-vjeçar mbi 258 mijë nxënës, ndërsa sipas Cenc 2023 ky nivel arsimor ndiqej nga rreth 231 mijë nxënës.
Gjithashtu Cens referoi se në momentin kur u krye anketa, vetëm 86 mijë persona ishin duke ndjekur arsimin e mesëm, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, në vitin akademik 2023-2024 ishin regjistruar në arsimin e mesëm 91 mijë nxënës, ose rreh 5 mijë më pak se të dhënat zyrtare të regjistrimit.