Rritet kerkesa per kredi, por bankat po tregohen me perzgjedhese
Kërkesa e sektorit privat për kredi shënoi rritje të ndjeshme në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat u rrit me 7.5% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 11.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja ka ardhur nga të tre segmentet e klientelës, por ka qenë më e dukshme në grupin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (rritje përkatësisht 29% krahasuar me një gjashtëmujor më parë dhe 37% krahasuar me një vit më parë)
dhe në segmentin e individëve (rritje përkatësisht me 6.4% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 10.4% krahasuar me një vit më parë).
Gjatë gjashtëmujorit të parë 2024, bankat raportuan se kanë marrë në shqyrtim gjithsej 72,418 aplikime për kredi, nga të cilat 91% i përkasin segmentit të individëve.
Kjo shpërndarje ka shënuar një zhvendosje të lehtë në favor të ndërmarrjeve, si krahasuar me periudhën e kaluar, ashtu edhe krahasuar me një vit më pare.
Megjithëse kërkesa për kredi ka shënuar rritje të ndjeshme, duket se në gjysmën e parë të këtij viti bankat janë treguar më përzgjedhëse.
Në totalin e aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë periudhës, rezulton se rreth 25% e tyre janë refuzuar nga bankat.
Kjo normë ka shënuar rritje, me 4.3 pikë përqindjeje më shumë se gjashtëmujorin e dytë 2023 dhe 2.7 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Megjithatë, rritja e refuzimeve të bankave në gjysmën e parë të vitit 2024 ka ndodhur vetëm kundrejt kategorisë së “individëve”, ndërkohë që ky tregues ka rezultuar në rënie për të dyja kategoritë e bizneseve, si në terma gjashtëmujorë, edhe në terma vjetorë.
Pra, bankat kanë shfaqur një prirje në rritje për të kredituar bizneset.
Norma totale e refuzimit ka rezultuar në rënie për bankat me kapital vendas, por në rritje tek ato me kapital të huaj. Vihet re se gjatë periudhës, dy grupet bankare kanë shfaqur qëndrime të kundërta ndaj kërkesave për kredi të bizneseve të vogla e të mesme dhe ndaj kategorisë së individëve.
Bankat vendase kanë shfaqur prirje lehtësuese, duke refuzuar përkatësisht vetëm 4% të kërkesave të SME-ve dhe 6% të kërkesave të individëve, ndërkohë që bankat e huaja kanë rritur normë e refuzimit përkatësisht në 7% për SME-të dhe 34% për individët.
Ndërkohë, të dy grupet e bankave duket se kanë preferenca të ngjashme ndaj bizneseve të mëdha, duke refuzuar vetëm 3% të kërkesave të tyre.
Në përgjithësi, nga analiza e mësipërme mund të arrihet në përfundimin se ecuria e aplikimeve të shqyrtuara nga bankat gjatë gjysmës parë të vitit 2024, tregon për një rritje graduale të kërkesës për kredi, e drejtuar kryesisht nga sektori i individëve
dhe ai i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe një qëndrim relativisht më të kujdesshëm të bankave, veçanërisht në drejtim të kredidhënies së individëve.
/Burimi: Monitor (https://monitor.al/rritet-kerkesa-per-kredi-por-bankat-po-tregohen-me-perzgjedhese/)