Studentet e mjekesise, tre vite pune te detyruar, Kuvendi miraton ndryshimet ligjore
Me 74 vota pro, ligji për studentët e mjekësisë ka marrë dritën jeshile në parlament.
Në një séance të pazakontë, pa prezencën e opozitës që sot e ka shpallur ditë zie , për ndarjen e parakoshme nga jeta të ish deputetit demokrat, Gerti Bogdani, socialistët kanë votuar ndryshimet për punën e detyruar të studentëve të mjekësisë.
Pas kthimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, ulen në 3 vitet e punës për studentë që fillojnë rishtas, për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë në vetëm një.
Po ashtu, ndryshimet parashikojnë punësimin brenda 3 muajve në shëndetësinë publike të mjekëve të sapodiplomuar, në të kundërt ata mund të punojnë në institucione private, ose të trajtohen me 80 për qind të pagës së një mjeku të përgjithshëm, gjatë 9 muajve të pritjes së detyruar.
Por, studentët e mjekësisë nuk janë dakord as me këto ndryshime. Ata kanë kërkuar anulimin e projektligjit si dhe hartimin e një drafti të ri që sipas tyre të motivojë mjekët të qëndrojnë në Shqipëri.
Ky ligj ka patur diskutimet të shumta nga të rinjtë e Universitetit të Mjekësisë por edhe anëtarë të Komisioneve parlamentare, ku është paraqitur përpara se të kalonte në seancën e kësaj të enjte për miratim.
Ligji i miratuar nga Kuvendi mbi një vit më parë synon sipas socialistëve të frenojë largimin e mjekëve të rinj nga Shqipëria, duke i detyruar studentët të nënshkruajnë një marrëveshje në fillim të vitit akademik,
për punësim të detyruar disa vite pas studimeve ose në të kundërt, ata duhet të paguajnë tarifat e parashikuara nga universiteti për ndjekjen e studimeve./Burimi: abcnews.al