Secondary Adv

Fryhet suficiti buxhetor, 580 mln euro ne 8 muaj, nuk realizohet programi i shpenzimeve

Shqipëria është një vend me nevoja të mëdha infrastrukturore, me arsim të nënfinancuar dhe me mungesa akute të ilaçeve në spitale në krahasim me Rajonin dhe Europën e zhvilluar.

 

Por përkundër nevojave të mëdha, qeveria vit pas viti po dështon të realizojë programin buxhetor në fushën e shpenzimeve.

 

Gjatë periudhës 8-mujore 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, qeveria realizoi 463.8 miliardë lekë të ardhura dhe vetëm 405,7 miliardë lekë shpenzime. Balanca buxhetore shënoi një suficit prej 58 miliardë lekësh në gusht nga rreth 54 miliardë lekë që ishte në korrik 2024.

 

Suficiti që është ndihmuar në një masë të konsiderueshme nga rritja e të ardhurave për shkak të aktivitetit ekonomik në sektorin e turizmit, por nga ana tjetër qeveria ka përkeqësuar më tej përformancën e shpenzimeve sidomos në zërin më produktiv të buxhetit, atë të shpenzimeve kapitale.

 

Në gjysmën e dytë të vitit, masa e suficitit buxhetor vinte në ulje për shkak se shpenzimet në këtë periudhë kanë vijimësi më të mirë, por këtë vit duket se situata në drejtim të shpenzimeve, sidomos investimeve publike, ka qenë më e ndërlikuar, përderisa sa suficiti buxhetor në vend që të ulet po fryhet me tej.

 

Praktikisht qeveria nëpërmjet arkës së shtetit po mban në llogari një shumë prej 58 miliardë lekësh, ose 580 milionë eurosh, e cila sipas ligjit të buxhetit 2024 duhet të ishte shpërndarë në ekonomi sipas programit që ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë.

 

Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 8-mujore të vitit 2024, arritën në rreth 405.7 miliardë lekë, me një realizim në masën 93.1 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

 

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 8 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 55 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 52.6 për qind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 28.08.2024.

 

Suficiti buxhetor e ndikon negativisht ekonominë në dy drejtime. Së pari, qeveria përqendron të gjitha fondet në muajin dhjetor siç ka ndodhur vitet e fundit duke e bërë të vështirë gjurmimin e efektivitetit të tyre.

 

Së dyti mosrealizimi i programit të investimeve në mënyrë të harmonizuar gjatë gjithë vitit ka ndikuar në forcimin e mëtejshëm të Lekut./Burimi: Monitor https://monitor.al/fryhet-suficiti-buxhetor-ne-580-mln-euro-ne-8-mujor-nuk-realizohet-programi-i-shpenzimeve/


Më të lexuarat