Kosova publikon shifrat: Serbia ka grabitur 3274 artefakte
Për dy dekada, institucionet e Kosovës kanë luajtur jo rrallë me shifra për numrin e artefakteve që i ka grabitur Serbia.
ara pavarësisë, institucionet rëndom i referoheshin “mbi tri mijë artefakte” pastaj numri ra e u përgjysmua kur fushatat bëheshin herë për 1244 e herë 1247 artefakte të grabitura, por tash del tjetër shifër që i bie që së paku për nja 15 vjet, Kosova t’ia ketë huqur shifrës për hiç më pak se 2477 artefakte.
Zyrtarisht, Kosova thotë se Serbia në tërësi ka grabitur 3724 artefakte dhe kjo konfirmohet në Raportin e hartuar nga Komisioni Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.
Kosova aktualisht, zyrtarisht ka dy palë dokumentesh sa u përket artefakteve që i konsideron të grabitura nga Serbia.
Para tre vjetësh me letrat dërguar institucioneve të Serbisë dhe Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM) kërkohej kthimi i 1247 artefakteve të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Tash numri ka ndërruar.
Zyrtarisht Kosova thotë se Serbia në tërësi ka grabitur 3724 artefakte. Pra, 2477 më shumë. Tash shteti qëndron prapa këtij numri.
Është bërë publik në saje të Raportit të hartuar nga Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.
Javën e kaluar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dorëzuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë Raportin me të dhënat e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë viteve të luftës.
Ministri Çeku ka njoftuar se gjatë luftës, krahas krimeve të shumta të luftës, projekti gjenocidal serb kishte shënjestruar edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.
“Kulturocidi serb në Kosovë ishte me pasoja tronditëse. 1784 monumente të shkatërruara, 3724 artefakte të grabitura, 175 biblioteka të shkatërruara, 1.7 milion libra shqip të asgjësuar, dhjetëra mijëra dokumente arkivore të monumenteve të grabitura, qindra vepra arti të dëmtuara e vjedhura”, shkruhej në njoftim.
Ka treguar se Raportin e dokumentimit me këto gjetje dhe rekomandimet për veprimet e mëtejme ia dorëzuan Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës.
“Raporti është rezultat i punës së Komisionit shtetëror të emëruar nga Qeveria, me anëtarë nga institucionet shtetërore dhe profesionale. Nuk do të ndalemi për asnjë moment në betejën tonë për drejtësi e dëmshpërblim karshi Serbisë”, ka njoftuar ai.
Nga fotografitë e takimit shihet se aty janë dorëzuar edhe burime të kohës së ish-Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.
Por tash hesapi ka ndërruar. Më 2021 me ardhjen në krye të MKRS-së së ministrit aktual Hajrulla Çeku, pati nisur njëfarë fushate për kthimin e artefakteve që mban Serbia prej viteve ’90.
Madje në bazë të reversëve, konventave ndërkombëtare dhe Planit të Ahtisaarit, kërkohej nga shteti serb që 1247 artefakte të kthehen në Kosovë.
Nëpërmjet këtij veprimi, institucionet e Kosovës u ishin kthyer përpjekjeve që artefaktet e marra për një ekspozitë të përkohshme të kthehen në vendin e origjinës, pas më shumë se dy dekadave.
Asokohe – në maj të vitit 2021 – drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i ishte drejtuar Bojana Boriç–Breshkoviqit, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar në Beograd, Tijana Çolak–Antiq Popoviq, drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Beogradit, dhe Vladimir Kostiqit, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi.
“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështjeje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona.
Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, dua t’jua kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës”, shkruhej në shkresën e Lecit.
Kishte shkruar se ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet e Kosovës vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë përkatëse të Serbisë.
“Konventa e UNESCO për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës)”, shkruhet në letër.
Si fakt i tretë obligues përmendet Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit të Ahtisaarit që, sipas shkresës, në mënyrë të prerë obligon Serbinë ta kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrë përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd.
Aty shkruhet se “numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247”.
Në të njëjtën ditë, tri institucioneve të Serbisë u ishte dërguar një letër e përbashkët nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe ministrja e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz.
Letra e dyshes është përcjellëse dhe mbështetëse për letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Dyshja kishte shkruar se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ofrojnë mbështetje të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Ajet Lecit, drejtor i MKK-së, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë.
Krejt këtë institucionet serbe e kishin kualifikuar si “provokim të rrezikshëm për trashëgiminë kulturore”.
Pas këtyre shkresave, Qeveria kishte emëruar Komisionin Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.
Ky Komision udhëhiqet nga Gjejlane Hoxha, njëherësh udhëheqëse e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Hoxha ka thënë se për shifrat e nxjerra bazohen në të dhëna zyrtare.
“Bazohemi në dokumentacionin real të vulosur në institucionin publik Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe ky është numri i kalkuluar deri më tash. Janë edhe të muzeve të Prizrenit e Mitrovicës, do të thotë të të gjithë muzeve.
Ka dokumente që artefaktet kanë shkuar edhe për çështje të restaurimit dhe nuk janë kthyer kurrë. Kryesisht janë arkeologjike dhe etnografike”, ka thënë Hoxha për KOHËN.
Sa u përket librave që përmend të Raport ka thënë se janë bazuar në raportet e UNESCO-s të vitit 2000. “Janë raporte të ekspertëve ndërkombëtarë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se çdo informacion vjen nga dokumentet kredibile institucionale.
Pjesë e Komisonit janë edhe Nora Weller, Mehmet Kraja, Reshat Nurboja, Vehbi Miftari, Andras Reidlmayer, Amra Hadzimuhamedoviq, Sali Shoshi, Milot Berisha, Florina Jerliu, Avni Manaj, Nora Arapi-Krasniqi e Orges Drançolli.
Andras Reidlmayer ishte ligjërues i Universitetit të Harvardit. Në vitin 2000 së bashku me Andrew Herscher kishin përgatitur raportin “Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë, 1998-1999”.
Reidlmayer në cilësinë e ekspertit ka dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Ballkan, saktësisht në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Raporti i tij dhe i kolegut të tij për Kosovën është përmendur edhe në Raportin e Parlamentit Evropian “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nga konfliktet e armatosura në Ukrainë dhe më gjerë”, i hartuar në mars të vitit 2023.
Ky raport midis të tjerash vë në pah se “në Kosovë ka pasur shkatërrime të mëdha të trashëgimisë kulturore në vitet 1990…”.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Kulturës se çfarë pritet në të ardhmen nga procesi i dokumentimit të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe cilat janë rekomandimet e bëra për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Por MKRS-ja nuk është përgjigjur.
Drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Atdhe Hetemi ka thënë se materialet e pranuara kalojnë në filtrin metodologjik të hulumtimit dhe mandej përdoren për qëllime të hulumtimeve akademike e të tjera.
“Materialet tona shërbejnë si burime shkencore për punimeve akademike e si burime informacioni për ndonjë rast tjetër”, ka thënë ai për KOHËN derisa ka rrumbullakuar mandatin që ka institucioni që ai udhëheq.
Në anën tjetër, me ekspozita të përkohshme ose me fushata posterësh, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës tash e 20 vjet kërkojnë kthimin e eksponateve.
“Kthehu” titullohej ekspozita me imazhe të eksponateve që mungojnë, e cila u hap më 2002 në Muze si thirrje për kthimin e këtyre artefakteve. Aktivitetet e tilla vazhduan me ekspozitën “Kosova antike” në vitin 2004 e atë “Edhe unë dua të kthehem në shtëpi tani” në vitin 2009.
Më 2022 qe ekspozita e fundit me këtë tematikë, “Return us home” (Kthenani në shtëpi). Kësisoj, Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës kishin shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, 18 majin.
Vetëm artefakti i kohës së neolitit “Hyjnesha në fron” i është kthyer Kosovës në vitin 2002, me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të Kosovës në atë kohë, Michael Steiner./Burimi:Koha/Balkanweb