Vera e vitit 2024, me e nxehta e regjistruar ndonjehere ne Evropen Juglindore
Temperatura të larta rekord janë regjistruar këtë verë në Evropën Juglindore, sipas një vlerësimi paraprak të shërbimit të BE-së për ndryshimet klimatike, “Copernicus”.
Banorët e këtij rajoni u ekspozuan ndaj “stresit të fortë nga nxehtësia”, pasi temperatura maksimale ditore arriti të paktën 32 gradë Celsius në 66 ditë midis qershorit dhe gushtit, njoftoi sot shërbimi “Copernicus”.
Kohëzgjatja e stresit të pandërprerë të nxehtësisë ekstreme në Evropën Juglindore këtë vit llogaritet mesatarisht 29 ditë. Në zona të tilla si Fennoscandia, një gadishull që përfshin Skandinavinë, Finlandën, dhe në Gadishullin Kola, që i përket Rusisë , janë regjistruar temperatura rekord, shtoi “Copernicus”.
Megjithatë, në Evropën veriperëndimore, temperaturat mesatare nga qershori në gusht ishin afër ose nën mesataren.
Sipas rezultateve paraprake, Deti Mesdhe gjithashtu arriti rekord të lartë, ku temperatura mesatare në sipërfaqen e ujit në të gjithë pellgun ishte 28.45 gradë Celsius më 13 gusht.
“Temperaturat ekstreme në rajone të tilla si Evropa Juglindore po ndikojnë në mirëqenien e evropianëve, pasi qytetarët në këtë rajon po përjetojnë më shumë stres të nxehtësisë se kurrë më parë”, tha Samantha Burgess, zëvendësdrejtoreshë e shërbimit “Copernicus”.
Këtë vit u regjistrua gjithashtu një ndryshim i fortë sa u takon reshjeve midis rajoneve individuale në Evropë. Pjesa më e madhe e kontinentit, veçanërisht ajo juglindore, regjistroi një numër nën mesataren e ditëve me lagështi.
Në rajone të tjera, duke përfshirë veriun e Mbretërisë së Bashkuar, Fennoscandia dhe shtetet baltike, pati deri në 20 ditë më shumë shi se mesatarja.
Më shumë se një e treta (35%) e lumenjve evropianë , veçanërisht në Evropën juglindore, kishin nivele shumë të ulëta uji. Nga ana tjetër, lumenjtë në pjesë të mëdha të Evropës Qendrore kishin nivele jashtëzakonisht të larta uji për këtë periudhë të vitit./Burimi: abcnews.al