Kosova pritet te perballet me mungese te energjise elektrike edhe kete dimer
Kosova po parashihet të ketë përsëri vështirësi në sigurimin e energjisë elektrike gjatë stinës së dimrit, edhe pse vështirësitë nuk pritet të jenë sikurse në vitet paraprake.
Këtë e thonë edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji, duke treguar se gjatë muajve të ardhshëm rritet kërkesa për furnizim, e për këtë është planifikuar import shtesë i energjisë.
“Kosova, si shumë vende të tjera, mund të përballet me sfida të furnizimit me energji gjatë dimrit, për shkak të rritjes së kërkesës dhe kushteve të ndryshme të furnizimit.
Ndërmarrjet e energjisë kanë bërë përgatitjet dhe planifikimet e nevojshme për t’iu përgjigjur me kohë çfarëdo mungese të prodhimit vendor”.
Për dallim nga vitet e kaluara, në Kosovë sivjet është rritur për 7% konsumi i energjisë elektrike. Kjo pasi shumë qytetarë kanë përdorur kondicionerë e pajisje te tjera elektrike.
Ekzekutivi i Kosovës gjatë këtij viti ka prezantuar një sërë masash për subvencionim të efiçiencës së energjisë elektrike, me anë të te cilave po synohet që të ulet konsumi i energjisë.
Dardan Abazi, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) thotë se edhe këtë vit do të ketë vështirësi, sidomos në dy muajt e pare të 2025-tës, kur muaji janar dhe shkurt janë zakonisht ku mbërrihet piku i kërkesës.
“Zakonisht, kur neve na duhet më së shumti import çmimet janë relativisht të larta, megjithëse nuk janë çmimet e krizës energjetike më, kemi parë që në vitin 2022 ka qenë një çmim shumë i lartë mesatar i importit kurse menjëherë në vitin 2023 ka pasur një rënie prej 50% të çmimit të importit në treg”.
Ndërkaq, profesori universitar Vezir Rexhepi thotë se investimet e Kosovës efiçiencë dhe çmimet e importit në bursë kanë rënë momentalisht dhe nëse qëndrojnë kështu Kosova kalon më lehtë këtë vit.
“Janë shumë faktor që e determinojnë nëse do të ketë dimër të vështirë, dhe apo edhe nëse do të ketë reduktime, dihet që Kosova varet prej diku 80% prej termocentraleve, pra prej energjisë fosile kurse 20% llogaritet të jetë energji e ripërtritshme, kështu që bazuar në çmimet e burses mendoj edhe kushtet klimatike atëherë mendoj që dimri do të jetë më i lehtë”.
Çmimi i megavatgit të energjisë sipas bursës hungareze me 1 tetor pritet të jetë 79 euro, i cili kishte periudha ku arrinte deri mbi 400 euro.
Termocentralet e stërvjetra por aktive të KEK-ut, edhe po të punonin në mënyrë perfekte dhe pa asnjë ndërprerje, nuk mund të arrijnë sasinë e kërkuar të rrymës gjatë ditëve të ftohta.
Konsumi gjatë pikut të tij që është zakonisht gjatë dimrit, shkon kryesisht deri në 1280-1300 megavat për orë.
Kosova me kapacitetet e saj maksimumi mund të prodhoj deri në rreth 750 deri 800 megavat në orë. Kosova sikurse shumë vende të tjera, gjatë fundit të vitit 2021 dhe fillimit të 2022-tës pati krizë energjetike me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë ani pse shpenzoi miliona euro duke importuar.
Burimi: Monitor https://monitor.al/kosova-edhe-gjate-ketij-dimri-mund-te-perballet-me-mungese-te-energjise-elektrike/