Ndertimi dhe turizmi rrisin ekonomine me 4 per qind, por ngecin pasurite e paluajtshme
PBB u rrit me 4,06 % në tremujorin e dytë të vitit 2024 në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2023, kryesisht prej zhvillimeve pozitive në turizëm dhe në ndërtim raportoi sot INSTAT.
Të dhënat zyrtare referojnë se dy sektorët që kanë dhënë ndikimin kryesore në ekonomi janë ndërtimi me 1.12 pikë përqindje dhe “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, me 1.12 pikë përqindje.
Ndikimi i turizmit në tremujorin e dytë, kur dhe hyrjet e të huajve u rritën mbi 30% e ka dhënë efektin në nxitjen e aktivitetit të tregtisë, koteleve, transportit, bareve e restoranteve.
Nga ana tjetër, ndonëse ndërtimi po vijon rritjen e fortë, në kahun tjetër shitjet e pasurive të paluajtshme kanë ngecur, duke dhënë një ndikim minimal prej 0.13%, ndryshe nga vitet e kaluara kur këto dy sektorë kishin ndikim pothuajse të barabartë në rritjen ekonomike, duke sinjalizuar për një ngadalësim në kahun e ofertës.
Në tremujorin e dytë, ndërtimi u rrit me 10.1%, ndërsa pasuritë e paluajtshme me vetëm 2.7%. në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërtimi u rrit me 14.6% me bazë vjetore dhe pasuritë e paluajtshme me 11.7%.
Mbingopja e ndërtimit, a po afrohet flluska?!
Ndërkohë, bujqësia pas disa tremujorësh negativë është kthyer sërish në territor pozitiv, ndonëse me një ndikim minimal në ekonomi.
Industria vijon me rënie, duke reflektuar konjukturën e pafavorshme ndërkombëtare dhe rënien e euros që po dëmton eksportuesit.
INSTAT njoftoi se publikoi të dhënat e rishikuara me metodën e prodhimit dhe atë të shpenzimeve të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) tremujor, për periudhën Tr.1.2018 – Tr.2.2024.
Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 4,06 % në terma realë, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2023.
Kontribut pozitiv kanë dhënë degët:
“Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +1,12 pikë përqindje, “Ndërtimi” me +1,12 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +0.86 pikë përqindje,
“Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0.62 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me +0,17 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me +0,13 pikë përqindje,
“Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,13 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me +0,06 pikë përqindje.
Negativisht kontriboi grupi: “Industri, Energji dhe Uji” me -0,96 pikë përqindje, “Informacioni dhe Komunikacioni” me -0,11 pikë përqindje. “Taksat Neto mbi produktet” kontribuan pozitivisht me +0,92 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e dytë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023, paraqiten si më poshtë: Aktiviteti “Ndërtimit” shënoi rritje me 10,10%, ndjekur nga grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative” i cili shënoi rritje 9,58%.
“Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit” shënoi një rritje prej 8,71%, ndjekur nga grupi i aktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 8,05%, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” pati një rritje prej 6,48%,
grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 3,82%, aktiviteti i “Pasurive të Paluajtshme” ka shënuar rritje prej 2,69% dhe aktiviteti i “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” shënoi rritje me 0,56%.
Ndërsa Aktiviteti i “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” shënoi rënie me 8,91% dhe grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënuan rënie prej 5,39%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 7,01%.
6 mujori
Rritja reale e PBB-së në gjashtëmujorin e parë të viti 2024 vlerësohet me 3,94%, sipas INSTAT.
Gjallërohet dhe konsumi
Turizmi ka ndikuar pozitivisht dhe në rritjen e konsumit. Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e dytë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023, paraqiten si më poshtë:
– Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 6,01%; – Konsumi final i qeverisë u rrit me 6,72 %; – Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 3,81 %;
– Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4,89 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 5,64 %./Burimi: Monitor https://monitor.al/ndertimi-dhe-turizmi-rrisin-ekonomine-me-4-ne-3-mujorin-e-dyte-por-ngecin-pasurite-e-paluajtshme/