Secondary Adv

Marreveshja e pensioneve me Shqiperine, Italia miraton 12 mln euro fonde per 2025

Zëvendësministrja e Ekonomisë njoftoi se është miratuar amendamenti për alokimin e fondeve në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë për Sigurinë Sociale.

 

Për vitin 2025 u miratua një fond prej 12 milionë eurosh; 13.6 milion euro për vitin 2026; 13.1 milion euro për vitin 2027; 15.1 milion euro për vitin 2028; 17 milionë euro për vitin 2029;

 

19.3 milionë euro për vitin 2030; 21.3 milion euro për vitin 2031; 23.4 milion euro në vit për të gjitha vitet e mëpasshme duke filluar nga viti 2032. Projektligji u miratua nga Parlamenti i Shqipërisë më 16 maj.

 

Objekti i kësaj marrëveshjeje përfshin përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, duke përfshirë sigurimet për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, si dhe sigurimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësisë.

 

Janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri.

 

Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.

 

Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat