Kosova heq kufizimin e importeve te mallrave nga Serbia
Kosova lehtëson masat shtrënguese ndaj mallrave serbe.
Masa do të implementohet vetëm në njërën nga pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, atë te Merdares. Kreu i qeverisë Albin Kurti njoftoi masën e cila pritet të ndryshojë sërish në ditët në vijim.
“Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët.
Në momentin që na vijnë skanerët atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference për shtypin.
Lehtësimi i masave shtrënguese vjen si pjesë e kërkesave të Gjermanisë ndaj qeverisë së Kosovës dhe si një kusht për t’iu bashkuar procesit të Berlinit dhe tregut rajonal. Kurti thotë se ato do të ndikojnë pozitivisht në përparimin e Kosovës drejt këtyre proceseve.
“Ne besojmë që ndryshimi i masës që e bëjmë është mese i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë”, tha kryeministri Kurti.
Brenda javës, qeveria e Kosovës duhej të paraqiste veprime konkrete për lëvizjet e mallrave. Mbetet për tu parë reagimi I qeverisë gjermane ne lidhje me këtë vendim te Kosovës, pasi kërkesa ka qenë për një lehtësim në shkallë më të gjerë.
Diplomacia perëndimore dhe së fundmi posaçërisht Gjermania i kanë kërkuar në vazhdimësi qeverisë heqjen ndalesës duke theksuar se ajo është kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, të njohur si CEFTA, ku bën pjesë edhe Kosova krahas pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë nëpërmjet një njoftimi për media mirëpriti vendimin e qeverisë duke theksuar se ndalesa e importit të mallrave nga Serbia kishte ndikim negativ në interesat tregtare amerikane dhe evropiane, si dhe ishte në kundërshtim me frymën e CEFTA-s dhe zotimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit.
Procesi i Berlinit, që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e themelimit, është një nismë e hedhur që në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Takimi i radhës pritet të mbahet me 14 tetor dhe nga njohës të zhvillimeve politike në rajon vlerësohet si e vetmja agjendë evropiane e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, që përfshin të gjitha vendet e rajonit dhe i trajton ato në mënyrë të barabartë./Burimi: Shqiptarja.com