Rriten pagat e sektorit publik ne Kosove: 55 euro nga janari, 110 euro nga korriku
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga viti 2025 do të ketë rritje të pagave në sektorin publik.
Nga janari i vitit të ardhshëm, të gjithë punonjësit e sektorit publik do të përfitojnë një rritje të koeficienteve, e cila do të rezultojë në një rritje totale prej 165 eurosh deri në korrik 2025.
Ai ka deklaruar të martën para mediave se nga janari do të jetë një pjesë e rritjes së pagave, e nga korriku i 2025-s do të jetë pjesa e dytë e rritjes.
“Për vitin e ardhshëm kemi edhe një lajm të mirë për të gjithë punonjësit e sektorit publik…tani në vitin 2025 do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat. Po rriten pagat secilin vit, në përputhje me atë që e parasheh Ligji për financat publike.
Pra rritja e pagave duhet të jetë në linjë me rritjen ekonomike….Duke pas parasysh nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar në rritjen buxhetore për pagat…Ta rrisim koeficientin për një njësi.
Vlera e koeficientit mbetet e njëjtë, por rriten njësitë”.
Kurti ka thënë se ndonjë zyrtar publik që aktualisht e ka koeficientin e pagës 5.6, në janar do t’i bëhet 6.1 e në korrik 6.7.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari dhe 110 euro nga korriku. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë 120 milionë euro”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se në 2025-n pritet që të hyrat buxhetore të jenë 3.3 miliardë, duke thënë se krahasuar me vitin 2020, kjo është rritje për 90 për qind.
Sipas Kurtit, buxheti për shpenzime pritet të jetë 3.6 miliardë euro.
“Kosova ka arritur që për katër vjet qeverisje, të rrisë brutoproduktin vendor dhe të tejkalojë shifrën prej 10 miliardë eurove, e në 2025-n ai tha se do të kalojë shifrën e 11 miliardë eurove. Po vazhdon trendi ku ekonomisë të Kosovës i shtohet një miliardë euro në vit”, ka shtuar ai.
Kurti ka deklaruar tutje se deri më tani janë shtuar mbi 75.000 vende të reja pune, të regjistruara në shifra zyrtare.
“Jemi munduar që paratë e buxhetit t’i kthejmë te qytetarët, me shërbime efikase publike dhe mbështetje për familje. Kjo është kthyer në rritje ekonomike dhe më shumë buxhet…Me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit pagat ashtu si e parasheh edhe ligji”.
Kurse, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nga janari parashihet rritja e pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Murati tha se këtë herë, rritja nuk do të bëhet ashtu siç ka ndodhur rëndom, që të rritet vlera e koeficientit e të përfitojnë të gjithë, por, tha se “kemi vendosur që ta shpërndajmë në vlerë absolute, ku pastaj nëse përkthehet në përqindje, i bie që për disa pozita që kanë paga më të ulëta, rritja i bie më e lartë, kurse për pozitat më të larta, rritja mund të jetë 5 deri në 7 për qind.
“Kësisoj, edhe po e ruajmë qëndrueshmërinë fiskale, por edhe po sigurohemi që ata që janë kontribuuesit më të mëdhenj për mbajtjen dhe funksionimin e vazhdueshëm të administratës publike, mësuesit, zjarrfikësit, policët, ushtarët, administrata publike, të përfitojnë më së shumti nga kjo rritje.
Edhe në diskutimet që kemi pasur edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, saktësisht me FMN-në, ka qenë një negocim i vazhdueshëm që ata t’i bindim dhe falë disiplinës fiskale dhe maturisë sa i përket politikave fiskale që kemi treguar në katër vitet e fundit, ka qenë më e lehtë që të binden, që të shkojmë me këtë version”, tha Murati në konferencë për media.
Më tej, ai përmes një grafike, tha se me metodën e re për rritjen e pagave në sektorin publik, pagat e mësuesve, policëve, infermierëve, zjarrfikësve dhe ushtarëve do të rriten për nga 110 euro.
/Burimi: Monitor (https://monitor.al/55-euro-nga-janari-110-euro-nga-korriku-rriten-pagat-e-sektorit-publik-ne-kosove/)