Secondary Adv

Tarifat per ujesjellesit, ERRU miraton ndryshime ne metodologji

ERRU ka vendosur të bëjë një ndryshim në metodologjinë që përdoret aktualisht për përcaktimin e tarifave për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve.

 

Duke parashtruar nevojën e këtij ndryshimi ERRU ka nënvizuar se bëhet fjalë për pikën 1 të nenit 6 dhe që ka të bëjë me politikat e ndërfinancimit midis klientëve.

 

Konkretisht kjo pikë shpreh se “shoqëritë mund të propozojnë tarifa të diferencuara ndërmjet kategorive të ndryshme të klientëve, përkatësisht ndërmjet atyre familjarë dhe publikë e privatë (kategoritë “a”, “b” dhe “c”),

 

por me tendencë rregullimin gradual të ndërfinancimit të tyre, me qëllim që raporti maksimal ndërmjet tarifave të klientëve publikë e privatë me ata familjarë nuk duhet të jetë më i madh se 2 (dy)”.

 

Në fakt nga ecuria e deritanishme e zbatimit të metodologjisë edhe nën reformën e bashkimit të ujësjellësve ku shumica ka përfunduar duket se kjo pikë nuk mund të zbatohet në të gjitha rastet.

 

Kjo ka bërë që ERRU të vlerësojë se për rastet kur raporti është më i madh se 2 ai nuk përbën pengesë. Për këtë arsye në metodologji është shtuar “politika e parashikuar në pikën 1(a) nuk do të jetë detyruese, në rastet kur tarifat ekzistuese të aplikuara nga shoqëritë ujësjellës-kanalizime,

 

në raport me tarifat e propozuara nga shoqëritë UK, ndërmjet kategorive të klientëve familjarë me ato jofamiljarë (publik, privat) nuk respektojnë koeficientin 2 (dy)” thuhet në metodologjinë e ndryshuar.

 

Enti vlerëson se deri më tani plani për bashkimin e ujësjellësve në ndërmarrje më të mëdha ka ecur mirë ku janë krijuar 14 të tilla teksa mbeten ende edhe tre ekzistuese që duhet të përfundojë procesin e bashkimit.

 

Paralelisht Enti ka miratuar gjatë këtij viti rishikimin e disa tarifave për disa ndërmarrje sipas dokumentacionit dhe kushteve që kanë përmbushur këto të fundit.

 

Ndryshimi më i fundit në metodologji duket se është konstatuar pikërisht gjatë analizimit të dokumenteve të nevojshme për rishikimin tarifave.

 

Enti citon se “gjatë analizës tekniko-ekonomike të aplikimeve për nivel të ri tarifor, referuar dhe riorganizimit të shoqërive UK, është konstatuar se ka diferenca midis tarifave ekzistuese të klientëve familjare me klientët jofamiljarë (publik dhe privat),

 

duke e bërë të pamundur respektimin e koeficientit tarifor të përcaktuar në nenin 6, “Politika e ndërfinancimit midis klientëve” gjatë propozimit për nivel të ri tarifor”./Burimi: Monitor https://monitor.al/tarifat-per-ujesjellesit-erru-miraton-ndryshime-ne-metodologji/


Më të lexuarat