Qeveria refuzon minimumin jetik prej 200 euro te propozuar nga opozita
Vendi do të vijojë pa minimum jetik.
Për projektligjin e propozuar nga deputetët e PD në vitin 2023 për caktimin e një minimumi jetik në vlerën 200 euro në muaj, Ministria e Financave tanimë ka një përgjigje, e konsideron atë të paplotë dhe propozim të pastudiuar.
“Ka një propozim ligjor për minimumin jetik që të jetë 20 mijë lekë. Ku ndodhemi dhe a ka ndonjë masë qeveria sa i takon pensionit minimal? Sa do të jetë?”, pyeti deputetja Jorida Tabaku në Komisionin e Ekonomisë.
“Propozimi i bërë është i paplotë, sepse nuk ka një analizë pse ajo vlerë dhe jo një më e madhe. Propozimi i bërë nuk merret cakton nëse ai mbulon nevojat, nuk merr parasysh as ndihmat që qeveria jep në llogaritjen e minimumit jetik”, ju përgjigj ministri Petrit Malaj.
Aktualisht nuk ka një minimum jetik të përcaktuar, dhe nëse do të caktohej do bënte të mundur që asnjë familje të mos kishte të ardhura poshtë nivelit të përcaktuar.
Ndërsa sipas një përllogaritje të bërë bazuar në raportet e INSTAT, që një person të mos konsiderohet i varfër duhet të ketë në dispozicion 18,827 lekë në muaj.
“Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë, në krahasim me 191.791 Lekë që ishte në vitin 2021”, thuhet në raportin e INSTAT./Burimi: Shqiptarja.com